English

Topalli: Zgjedhjet e lira më të rëndësishme se rezultati

Tiranë, 7 maj 2011, NOA – Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i garantoi eurodeputetët se në 8 Maj shqiptarët do votojnë të lirë e me qytetari. Gjatë takimit me delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, zonja Topalli theksoi se Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të paqta janë më të rëndësishme se rezultati i tyre.

Ajo nënvizoi se misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm, duke shtuar se është në interesin e këtyre zgjedhjeve, që të vëzhgohen nga sa më shumë vëzhgues si dëshmitarë të procesit.

Kryetarja e Kuvendit i njohu vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës me ecurinë e fushatës zgjedhore dhe punës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ajo vlerësoi këtu se zgjedhjet e 8 majit do të zhvillohen me një infrastrukturë zgjedhore me standarde shumë të larta, me një regjistër elektronik zgjedhësish, me lista transparente zgjedhore me karta identiteti të sigurisë së lartë.

“Sistemi i numërimit i aplikuar për herë të parë në zgjedhjet e fundit, rezultoi nga më transparentët dhe jam e bindur se edhe në këto zgjedhje ky proces do të jetë shumë transparent dhe efikas në nxjerrjen e rezultateve”, theksoi Topalli.

Ajo foli edhe për kandidatët që garojnë në këto zgjedhje administrative, duke nënvizuar se shumica prej tyre kanë zhvilluar një fushatë pozitive, të adresuar te qytetari dhe problemet e tyre.

“Ne besojmë në një pjesëmarrje masive në këto zgjedhje, në mënyrë që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të vendosur për alternativën më të mirë”, pohoi kryeparlamentarja shqiptare.

Ndërkohë, vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, e siguruan Kryetaren e Kuvendit se do të kontribuojnë maksimalisht që misioni i tyre të jetë sa më i suksesshëm.

mit/NOA

KOMENTE