English

Vdes ideatori i ndarjes së Maqedonisë në 2001

Shkup, 7 maj, NOA - Akademiku maqedonas Gjorgji Efremov ka ndërruar jetë mbrëmë në moshën 78 vjeçare në Shkup. Ai është i njohur si ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), por edhe njëri ndër hartuesit e planit për ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001.

Ky plan i ndarjes ishte mbështetur edhe nga kryeministri i asaj kohe, Lubço Georgievski.

Akademiku Efremov është i lindur në Kratovë, ndërsa është i njohur edhe me karrierën e pasur shkencore në lëminë e veterinarisë, duke u njohur me më shumë se 30 punime hulumtuese-shkencore.

Ai doli në sipërfaqe me planin e mbështetur për ndarjen e Maqedonisë, kur ishte në pozitën e kreut të ASHAM. Sipas këtij plani, Shqiptarët do të vendoseshin në rajonet perëndimore të Gostivarit, Tetovës, dhe Dibrës të cilat më pas do të bashkoheshin me Shqipërinë. Në shkëmbim, Shqipëria do ti jepte Maqedonisë qytetin e Pogradecit dhe zonën përreth pranë Liqenit të Prespës, ku jeton një pakicë e vogël Maqedonase.

Akademiku ka thënë se ky shkëmbim duhet të jetë krejtësisht paqësor dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve. Efremov e ka përshkruar planin si një "dokument për shpëtimin e Maqedonisë". Akademiku i ndjerë ishte edhe pjesë e ekipit shkencor për hartimin e Enciklopedisë Maqedonase, ndërsa ishte propozuar edhe si kryeredaktor për hartimin e enciklopedisë së re.

NOA/INA

KOMENTE