English

5023 policë në gatishmëri për zgjedhjet

Tiranë, 8 maj, NOA - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur se nuk është regjistruar asnjë incident në fazën e parë të procesit që ka të bëjë me dorëzimin e materialeve zgjedhor. Në një njoftim të Policisë së Shtetit theksohet se vetëm në 6 qendra votimi nuk janë paraqitur komisionerët për të marrë materialet zgjedhore.

“Mëngjesin e sotëm, datë 08.05.2011, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit punonjësit e Policisë së Shtetit sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative janë larguar nga Qendrat e Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme, me përjashtim të 6 qendrave të votimit ku komisionerët nuk janë paraqitur akoma për shkak të largësisë, 1 në Korçë, 1 në Gramsh, 1 në Mirditë, 2 në Delvinë dhe 1 në Lurë Dibër”, njofton policia.

Nga efektivat e policisë u morën në ruajtje në të gjithë vendin: 4891 Qendra Votimi, 66 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor. Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit Policia e Shtetit angazhoi gjithsej 5.023 punonjës policie.

“Nga shërbimet e policisë gjatë natës nuk janë evidentuar probleme që lidhen me përmbushjen e detyrave në kuadër të procesit zgjedhor. Krahas përmbushjes së detyrave në kuadër të procesit zgjedhor, strukturat policore gjatë natës së mbrëmshme kanë qenë totalisht të angazhuara për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe kanë kryer detyrat në përmbushje të misionit të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas Policisë, dorëzimi i objekteve zgjedhore të marra në ruajtje është bërë konform rregullave të përcaktuara dhe punonjësit e policisë tashmë janë larguar nga Qendrat e Votimit dhe KZAZ-të e janë vendosur në ambientet e përcaktuara. (përjashto 6 qendrat e sipërcituara)

“Gjatë gjithë kohës lëvizja e punonjësve të policisë në zbatim të akteve normative do të bëhet me automjete me mbishkrimin “automjet i Policisë së Shtetit i angazhuar me detyra zgjedhore” dhe vendosja e forcave të policisë do të bëhet në Komisariate/Stacione Policie dhe në ambientet e përcaktuara, ku do të jetë i vendosur mbishkrimi “vendqëndrim i policisë për zgjedhjet”. Në çdo rast ndërhyrja e forcave të policisë për rivendosjen e rregullit brenda Qendrës së Votimit do të bëhet me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë që vlerëson se “situata në të gjithë vendit aktualisht ora 09.00’ paraqitet e qetë”.

a.k.NOA

KOMENTE