English

Ajtyresa: Bëni durim e votoni, vetëm 75 min për vendimmarrjen

Tiranë, 8 maj 2011, NOA – Kur na ndan vetëm një orë nga orari zyrtar i mbylljes së procesit të votimit selia rozë i bën thirrje qytetarëve të dalin të votojnë, madje dhe të presin në radhë duke i inkurajuar ata se me votën e tyre të fshehtë votojnë për të ardhmen e Atdheut.

Në një prononcim për mediat anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa apeloi që qytetarët e Tiranës, por dhe të të gjithë Shqipërinë të bëjnë durim e të votojnë.

Këtu ajo i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të mos lodhen, edhe pse duhet të siglojnë zgjedhjen e tyre në katër fletë.

“Ju lutem të bëni durim, se janë katër fletë”, tha Ajtyresa, duke nënvizuar se mbeten vetëm 75 minuta nga kufiri zyrtar i mbylljes së procesit.

Ajtyresa i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të trokasin derë më derë, në dyert e fqinjëve e të kushërinjve, pasi vota shton fuqinë e vendimmarrjes.

“Edhe 75 minuta për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes. Nëse ju duhet të mbani radhë, kjo tregon se vota juaj është e rëndësishme, pasi Atdheu pret sot votën tuaj si kontributin më të rëndësishëm për të ardhmen”, apeloi Ajtyresa.

Ky apel vjen ndërkohë që në kryeqytet zgjedhësit votojnë në katër fletë votimi, një për kryetarin e Bashkisë, për Këshillin bashkiak, për kryetarin e Minibashkisë dhe anëtarët e këshillit të njësisë, një proces që e ka ngadalësuar votimin, duke bërë që në qendrat e votimit të ketë radhë.

mit/NOA

KOMENTE