Tiranë, 8 maj 2011, NOA – Votimeve të 8 majit nuk i mungoi ish-lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano, i cili me bashkëshorten e tij Xhoana votuan sot në orët e drekës në qendrën e votimit pranë shkollës ‘Dora d’Istria”, në minibashkinë nr. 10 në kryeqytet.
Ish-kryetari i PS-së dhe ish-kryeministri socialist për disa mandate në qeveritë socialiste deri në vitin 2005, kur ai humbi zgjedhjet parlamentare, pas hedhjes së votës bëri dhe një mesazh të shkurtër për qytetarët shqiptarë.
“Ne jemi larg zgjedhjeve të komunizmit, jemi larg zgjedhjeve të vitit 1997, jemi shumë afër e Europës. Shpresoj që kjo votë t`i bëjë qytetarët të largohen nga 21 janari e të tjerë”, u shpreh ish-kryeministri Nano.
Mesazhi i Nanos ishte konçiz dhe përmbante një apel të qartë për qytetarët, për t’iu afruar me këto zgjedhje sa më shumë Europës së Bashkuar, e duke iu larguar sa më shumë ngjarjeve të 21 janarit, ku pas akteve të dhunës në drejtim të policisë dhe godinës së qeverisë, u vranë katër demonstrues.
Ky mesazh i Nanos nga sa u nënkuptua ishte i qartë edhe për kryesocialistin Edi Rama, i cili thirri demonstratën popullore të 21 janarit.
mit/NOA