English

Lenarçiç-Topin: Partitë të respektojnë ligjin

Tiranë, 8 maj, NOA - “Kodi Zgjedhor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, porse ajo që nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar qëllimin e ligjit”. Kjo është deklarata që ka bërë Drejtori i Përgjithshëm i ODIHR-it, Janez Lenarçiç gjatë një takimi me presidentin Bamir Topi në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Në takimin me kreun e shtetit Lenarçiç e informoi atë për punën konkrete dhe monitorimet që do të vijojë të kryejë misioni i vëzhguesve në rang vendi dhe për raportin paraprak me të cilin ODIHR-i do të dalë në përfundim të këtyre zgjedhjeve vendore.

Gjithashtu, Kreu i ODIHR-it vuri në dukje se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë.

Nga ana e tij kreu i shtetit Topi vlerësoi angazhimin dhe punën e pakursyer të ODIHR-it me dërgimin e një misioni të gjerë vëzhgimi, për të ndihmuar jo vetëm në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve të 8 majit, por edhe në realizimin me sukses të tyre.

“Përfundimi i zgjedhjeve sipas rregullave ligjore e brenda standardeve demokratike, e sidomos pa incidente, mbetet me mjaft rëndësi për të ardhmen e vendit dhe të shtetasve shqiptarë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore.” – u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës, duke ritheksuar rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por edhe për të treguar nivelin e demokratizimit të shtetit shqiptar dhe “hedhjen e një hapi vendimtar e cilësor në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian”, vlerësoi edhe punën vetmohuese të forcave të rendit dhe të institucioneve të tjera mbështetëse e kontribuese direkte në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Kreu i Shtetit shprehu besimin se shqiptarët do të dinë të tregojnë aftësinë dhe maturinë në realizimin e zgjedhjeve të drejta, korrekte e të ndershme.

NOA

KOMENTE