Tiranë, 8 Maj, NOA - Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti kreun e OSBE-ODHIR, Janez Lenarcic.
Ky i fundit ndodhet në vendin tonë në kuadër të misionit për monitorimin e procesit zgjedhor. Në takim, u theksua rëndësia e jashtëzakonshme që ka për Shqipërinë organizimi i një procesi zgjedhor në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Nga ana e tij, Haxhinasto vlerësoi OSBE-ODIHR për rolin e tyre në monitorimin e gjithë procesit zgjedhor.
Ai theksoi se si opozita dhe mazhoranca, por edhe të gjitha partitë politike kanë përgjegjësinë e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Është e domosdoshme që çdo parti të njohë rezultatin pas zgjedhjeve”, tha ai.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i OSBE-ODHIR, Janez Lenarcic, tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, por një ditë shumë e rëndësishme edhe për ambiciet e vendit dhe avancimin demokratik të tij.
“Ne, institucionet e ODHIR-it, jemi shumë të ndërgjegjshëm për këtë rëndësi, prandaj dhe ndodhemi të pranishëm në një numër të konsiderueshëm.
Sot kemi rreth 300 vëzhgues afatshkurtër të shpërndarë në të gjithë vendin, të cilët vijnë si një plus për ekipin afatgjatë që ndodhet këtu dhe që ndahet në grupin bazë të specialistëve dhe në vëzhguesit afatgjatë.
I kemi kushtuar shumë rëndësi vëzhgimit deri në këto momente, por do të jemi akoma më të përqendruar në fazat në vazhdim që përfshijnë votimin, numërimin dhe tabulimin e rezultateve”, përfundoi ai.
n.e/NOA