English

Policia e Shkodrës flet për masat e marra për zgjedhjet

Shkodër, 8 Maj 2011 NOA - Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër, konfirmoi në minutat e para të së dielës se ka marrë të gjitha masat e duhura teknike dhe organizative për menaxhimin me sukses të rendit dhe sigurisë publike në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 8 Maj 2011.

Nga puna përgatitore e bërë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, është bërë e mundur trajnimi 420 efektivëve, që do angazhohen në këtë proces zgjedhor, të cilët tashmë janë pajisur dhe me librin i xhepit, “Kujtesë, Detyrat e punonjësit të policisë gjatë procesit zgjedhor”, ku në të përcaktohen qartë veprimet e punonjësve të policisë, për procesin zgjedhor, veprime këto të bazuara në ligj.

Drejtoria e Policisë Qarku Shkodër, thotë se ka përballuar me sukses dhe ka siguruar mbarëvajtjen e fushatës parazgjedhore e tubimeve elektorale, ku janë organizuar gjithsej 214 aktivitete elektorale, nga subjekte të ndryshme politike.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në këto aktivitete janë angazhuar 832 efektivë policie dhe 194 mjete.

Mbrëmjen e së shtunës, nga ana e Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, është organizuar puna dhe janë marrë në ruajtje 411 Qendra Votimi dhe 5 KZAZ-të, e Qarkut Shkodër.

Të gjitha objektet zgjedhore do të ruhen nga shërbimet policore, nga momenti kur në to do të mbërrijnë materialet zgjedhore, gjatë natës dhe deri në datën 08. 05. 2011, në momentin kur të fillojë procesi i votimit.

Drejtoria e Policisë Qarku Shkodër, garanton mbarë opinioni publik dhe subjektet politike, në shkallë Qarku, se do të sigurojë rendin dhe qetësinë publike, duke vepruar me profesionalizëm, me paanshmëri dhe duke zbatuar me korrektësi vetëm ligjin.

r.d/NOA

KOMENTE