Tiranë, 8 maj 2011, NOA – Pas akuzave të opozitës, Policia e Shtetit sqaron pozicionin e saj duke theksuar se është e angazhuar totalisht për të respektuar detyrimet ligjore dhe për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Policia e Shtetit i përgjigjet akuzave të selisë rozë duke shpjeguar se shoqërimi i të paraburgosurve, dënuarve, ndaluarve apo arrestuarve për të votuar nuk është detyrë e strukturave të Policisë së Shtetit dhe se asnjë nga shërbimet e Policisë së Shtetit nuk është angazhuar për këtë qëllim.
Në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit bën me dije se situata në këtë ditë zgjedhjesh në të gjithë vendin paraqitet e qetë.
Sipas policisë deri në orën 16.30’ nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë gjatë procesit zgjedhor.
“Ndërkohë që nga KQV-të dhe KZQV-të gjatë kësaj periudhe është kërkuar ndërhyrja e policisë me vendim sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative vetëm në 6 raste, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe ka kryer detyrën për rivendosjen e gjendjes”, thotë deklarata e Policisë së Shtetit.
Më konkretisht Policia e Shtetit jep të dhënat për incidentet në mbarë vendin:
Rreth orës 09.15’ në qendrën e Votimit Nr.3209, në fshatin Seman i Ri Komuna Topojë, në Fier, ku dy persona kanë fyer dhe qëlluar me pëllëmbë dy anëtar te Komisionit të kësaj Qendre Votimi. Me Vendim të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të policisë dhe pasi është neutralizuar situata po përsëri me Vendim te Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 11.20’ në Qendrën e Votimit Nr.2896, në fshatin Zhelizhan Komuna Allkaj, në Fier, ku një person pasi ka mbaruar procedurën e votimit nuk ka pranuar të largohet nga Qendra e Votimit. Me Vendimin të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të policisë dhe pasi është neutralizuar situata po përsëri me Vendim te Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 12.30’ në Qendrën e Votimit Nr.3027/1 në lagjen Afrim në Fier, dy anëtarë të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, janë konfliktuar dhe me pas goditur me njëri-tjetrin. Me Vendim të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të policisë dhe pasi është neutralizuar situata po përsëri me Vendim te Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 11.50’, KZAZ-ja nr. 25 në Gjirokastër, me vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë në Qendrën e Votimit nr. 4347, në fshatin Nepravishtë, për të larguar disa persona që prishnin rendin jashtë qendrës së votimit. Gjatë ndërhyrjes nuk pati asnjë incident dhe me rivendosjen e rregullit po me vendim të KZAZ-së punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 11.30’ me vendim të Komisionit të Qendrës ë Votimit nr. 3793 në fshatin Podgorie komuna Vreshtas në Korçë është kërkuar ndihma e policisë pasi fluksi i votuesve ka tejkaluar numrin normal të tyre brenda qendrës së votimit. Pas normalizimit të situatës me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësi i policisë është larguar .
Nga komisioni i Qendrës së Votimit nr.4406, në fshatin Novoselë, Vlorë, me vendim është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të policisë në këtë qendër votimit pasi shtetasi Miltiadh Qarri vëzhgues i kandidatit të subjektit të pavarur ka bërë fushatë e propagandë në Qendrën e Votimit. Në orën 14.00’ punonjësit kanë ndërhyrë duke normalizuar situatën dhe larguar personin e sipërcituar dhe sërish e vendim të komisionit është larguar.
Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor ka ndërhyrë dhe për disa incidente të tjera.
Sipas policisë së Shtetit bëhet me dije se sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative efektivët e policisë janë larguar nga të gjitha Qendrat e Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme.
Nga shërbimet e policisë u morën në ruajtje në të gjithë vendin, 4891 Qendra Votimi dhe 66 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Policia e Shtetit garanton se është duke ndjekur në vazhdimësi procesin zgjedhor dhe rikonfirmon se me përfundimin e procesit të votimit strukturat e saj do të jenë në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave për shoqërimin e materialeve të votimit dhe sigurimin e vendnumërimit të votave deri në përfundim të të gjithë procesit zgjedhor.
mit/NOA