Tiranë, 8 maj, NOA – Policia e Tiranës bëri të ditur sot se deri në orët e paradites, gjatë ruajtjes së Qendrave të Votimi dhe KZAZ-ve, nuk është evidentuar asnjë incident, në lidhje me procesin zgjedhor dhe rendin publik në tërësi, ndërkohë që duhet theksuar se është respektuar heshtja zgjedhore.
Policia sqaron se efektivat e policisë po ndjekin normalisht procesin.
“Sot më datë 08 Maj 2011, kur Komisionet e Qëndrave të Votimit filluan veprimet paraprake për çeljen e votimit, punonjësit e policisë të cilët siguronin objektet e qendrave të votimit dhe KZAZ-ve, u larguan prej tyre dhe aktualisht janë vendosur pranë Komisariateve/Stacioneve të Policisë apo Vendeve të grumbullimit të punonjësve të policisë, sipas planifikimit të bërë dhe të miratuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Ditën e sotme, në orën 18.00’, do të merren në ruajtje nga punonjësit e policisë 16 Vende të Numërimit të Votave, shërbim i cili do të vazhdojë deri në përmbushjen e detyrimeve ligjore nga KZAZ-të.
“Në orën 19.00’ të datës 08 Maj 2011 punonjësit e policisë të planifikuar do të jenë pranë Qendrave të Votimit në pritje për shoqërimin e Komisionit dhe materialeve zgjedhore nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave”, sqaron Policia e Tiranës.
a/k/NOA