Petrelë, 8 maj 2011, NOA – Në këtë të dielë zgjedhjesh Presidenti i Republikës Bamir Topi i ftoi qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë masivisht në votime, të qëndrojnë larg incidenteve dhe ta përjetojnë këtë ditë si një ditë pranvere dhe feste.
“Kemi inkurajuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në votime. Ta përjetojnë si një ditë feste, si një ditë pranvere, të mos bëhen pjesë e incidenteve”, theksoi presidenti Topi gjatë konferencës së përbashkët me ambasadorin e OSBE-së Eugen Wollfarth në kalanë e Petrelës.
Kreu i Shtetit e bëri këtë apel duke argumentuar se me progresin e këtyre zgjedhjeve shënohet progres i demokracisë në Shqipëri dhe mbërrihen standardet e kërkuara të Europës.
I pyetur lidhur me deklaratat e opozitës, presidenti Topi i ftoi të gjitha palët të mos bëjnë presione në këtë ditë zgjedhjesh.
Topi dha një mesazh të qartë edhe për mediat, duke i kërkuar atyre të mos hiperbolizojnë parregullsitë e vogla, por t’i japin rëndësi masivitetit të votimit të zgjedhësve dhe të mos i intimidojnë ata.
Presidenti shprehu bindjen se pas 20 vitesh demokraci, qytetarët shqiptarë janë të bindur se për kë do ta hedhin votën e tyre të fshehtë në kutitë e votimit.
“Mesazhet e mira jepen në kohën e duhur, rregulli i demokracisë është që të mos deformohen faktet, dhe humbësit të respektojnë fituesit”, tha Kreu i Shtetit.
Ai u bëri thirrje të gjithë komisionerëve të ushtrojnë detyrën e tyre, pasi të gjithë qytetarët kanë nevojë të ç’tensionohet situata.
mit/NOA