English

“Reuters”: 8 Maji, prova e parë e mbështetjes për qeverinë e Berishës

Londër, 8 maj, NOA – “Demokracia është vetëm 20 vjeç në Shqipëri, por ende është duke vuajtur dhimbjet e post-komunizmit”.

Kështu nis artikulli i posaçëm i prestigjiozes britanike “Reuters”, dedikuar zgjedhjeve “Lokalet 2011” në Shqipëri, me titullin “Shqipëria zgjedh krerët, pas një fushate të tensionuar”.

Ai përmend më tej faktin sesi socialistët në opozitë kanë refuzuar të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 2009, i cili i dha kryeministrit Sali Berisha një mandat të dytë katër-vjeçar dhe e akuzojnë qeverinë e tij për korrupsion.

Dhe vlerëson se pikërisht, votimi i së dielës është prova e parë e mbështetjes për qeverinë e Berishës që nga zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.

"Zgjedhjet e 8 majit nuk do të hyjë në kujtimet politike për shkak të cilësisë së programeve, ose emrave të fituesve, por vlerësimit të standardeve të tyre dhe produktit të tyre demokratike”, citon artikulli fjalimin e presidentit Bamir Topi.

Ndërsa nuk lë pa përmendur as atë të kryeministrit Berisha, sipas të cilit, përmbushja e standardeve të zgjedhjeve paraqitet thelbësore për progresin e Shqipërisë drejt bashkimit me bllokun evropian.

”Bashkimi Evropian u ka thënë edhe partive politike që të lënë mënjanë grindjet dhe të negociojnë për t'i dhënë fund debatit të gjatë për zgjedhjet e 2009-ës”, citon më tej autori Benet Koleka.

Në fund, përmendet edhe fakti sesi “çmimet në rritje të karburantit dhe të produkteve ushqimore, apo disa taksave, mund të ndikojë te votuesit, edhe pse ekonomia ka vazhduar të rritet gjatë krizës ekonomike globale”.

”Nga 63 incidente të lidhur politikisht gjatë fushatës, policia tha se tre shpërthime, të cilat plagosën një person, dhe djegia e një automjeti ishin më të rënda”, përfundon artikulli i “Reuters”.

n.e/NOA

KOMENTE