English

Shkodër, Policia: Komisioneri i PD nën akuzë për konfliktin

Shkodër, 8 maj 2011, NOA – Policia e Shkodrës deklaroi se sot rreth orës 07.20, në ambientet e jashtme të Qendrës së Votimit Nr. 345, në fshatin Kuç, Komuna Gur i Zi, rrethi Shkodër, ka ndodhur një konflikt mes dy komisionerëve të kësaj qendre.

Duke zbardhur këtë incident policia e Shkodrës thekson se „si pasojë e një konflikti të çastit mes shtetasit Zamir Fusha, vjeç 40, banues në fshatin Kuç, Komuna Gur i Zi, me detyrë nënkryetar i komisionit zgjedhor në Qëndrën e Votimit Nr. 345, përfaqësues i subjektit politik të Partisë Demokratike dhe shtetasit Barhi Meti, vjeç 44, banues në fshatin Juban, Komuna Gur i Zi, i cili është me detyrë komisioner në qëndrën e votimit të sipërpërmendur, që përfaqëson subjektin politik të Partisë Demokristiane, shtetasi Zamir Fusha ka goditur me grushta shtetasin Barhi Meti“.

Sipas policisë i dëmtuari ka marrë dëmtime të lehta në fytyrë dhe trup dhe pasi ka marrë ndihmën e duhur mjeksore në Spitalin Rajonal të Shkodrës, është paraqitur në ambientet e Policisë për të bërë kallëzim në lidhje me ngjarjen e ndodhur.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së qytetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore e proceduriale, dhe materialet në ngarkim të shtetasit Zamir Fusha, iu kaluan Prokurorisë.

Fusha është nën akuzë për pengim të subjektit me dhunë apo mjete të tjera, për zgjedhjet në organet përfaqësuese.

mit/NOA

KOMENTE