Tiranë, 8 maj, NOA - Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të ODIHR-it, Janez Lenarçiç.
Ky i fundit po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Pasi shprehu fillimisht mirënjohjen për ndihmesën dhe kontributin e vazhdueshëm të organizmave ndërkombëtare, Topi vlerësoi angazhimin dhe punën e pakursyer të ODIHR-it me dërgimin e një misioni të gjerë vëzhgimi.
“Përfundimi i zgjedhjeve sipas rregullave ligjore e brenda standardeve demokratike, e sidomos pa incidente, mbetet me mjaft rëndësi për të ardhmen e vendit dhe të shtetasve shqiptarë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore”, u shpreh Topi gjatë takimit. Gjithashtu, ai ritheksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve.
Ky proces sipas Topit, do të hedhë një hap vendimtar e cilësor në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, drejtori i ODIHR-it, Janez Lenarçiç, vuri në dukje se “kodi zgjedhor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, porse ajo që nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar qëllimin e ligjit”.
Njëkohësisht, ai ndau të njëjtin mendim me presidentin Topi se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë.
n.e/NOA