Petrelë, 8 maj 2011, NOA – Nga kalaja mesjetare e Petrelës në të dalë të Tiranës, Kreu i Prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth dha një mesazh të qartë për të gjithë klasën politike shqiptare, që të sillen si lidership e të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve vendore.
Këtë mesazh ambasadori i OSBE-së e dha në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës Bamir Topi të mbajtur pak momente më parë në kalanë e Petrelës.
Ambasadori i OSBE-së u shpreh se është i lumtur që bashkë me përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë po vëzhgojnë nga afër zgjedhjet vendore të 8 majit, të cilësuara si zgjedhje që do të përcaktojnë edhe hapat e mëtejshëm drejt integrimit të vendit në BE.
Wollfarth shprehu kënaqësinë që votimi nisi i qetë në orën e duhur në më të shumtën e qendrave të votimit në mbarë vendin.
Këtu ai i ftoi qytetarët shqiptarë që pas votimit, ta shijojnë këtë të dielë edhe për të pushuar.
Eshtë një ditë e bukur jo vetëm për të votuar, por edhe për ta shijuar si një ditë pranverore, dhe i ftoj të gjithëve që ta bëjnë këtë pas votimit.”, tha ambasadori i OSBE-së.
Ai shprehu respektin për të gjithë komisionerët që janë në krye të detyrës në këtë ditë zgjedhjesh, që siç tha Wollfarth nuk do të përfundojnë me procesin e votimit, por do të vijojnë me atë të numërimit të votave.
“Unë do të doja të mos harrojmë se kemi përfaqësues ndërkombëtarë që kanë mbërritur këtu për të vëzhguar e për të folur për imazhin e Shqipërisë. Andaj i inkurajoj të gjithë shqiptarët ta shohin këtë si një kartë biznesi”, tha ambasadori i OSBE-së.
Ai tha më tej se në fund të procesit do të pritet edhe vlerësimi i vëzhguesve të ODHIR-it, i cili sikundër tha Wollfarth do të vijë në fund të procesit.
mit/NOA