Tiranë, 9 Maj 2011 NOA - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka folur sonte mbi shoqërimin e personave me liri të kufizuar në votime, duke marrë shkak nga njoftimi i ardhur nga IEVP “Jordan Misja”, se i paraburgosuri Renaldo Dervishi nuk është lejuar të votojë në qendrën e votimit në shkollën “Xhezmi Delli” nga disa përfaqësues të subjektit të Partisë Socialiste, me argumentimin se po shkelet ligji, si dhe të një rasti tjetër të ngjashëm në njësinë 9 me 2 të paraburgosur të IEVP “Mine Peza”.
DPB thotë se ligji 8328, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, përcakton qartë se ekzekutimi i dënimit me burgim bëhet duke respektuar dinjitetin e të dënuarit dhe përshkohet nga ndjenja njerëzore. Bazuar në ligj, ashtu si personit me liri të kufizuar nuk mund t’i mohohet e drejta e arsimimit, kujdesit shëndetësor, etj, në të njëjtën mënyrë, kurrsesi nuk mund t’i mohohet e drejta e fjalës nëpërmjet votës.
Sipas përcaktimeve të nenit 59 të Kodit Zgjedhor, hapen qendra votimi në ato Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, në të cilat ndodhen mbi 15 të burgosur të cilët janë banorë të njësisë vendore ku ndodhet institucioni. Bazuar në këtë, janë hapur qendra votimi në IEVP Fushë-Krujë, Durrës, Berat, dhe Vlorë, - thotë DPB duke folur me gjuhë ligjore.
Ajo thekson se për rastet e tjera, institucionet penale, kanë marrë masa për shoqërimin e personave pranë qendrave të votimit të zonave përkatëse, ku rezultojnë të regjistruar të dënuarit apo paraburgosurit.
Veç rasteve të përcaktuara në nenin 59 të Kodit Zgjedhor, ku janë përgatitur listat e zgjedhësve për të burgosurit që do të votojnë në qendrat e votimit që janë hapur pranë IEVP, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, përkatësisht të neneve 3, 44, dhe 45, mbi bazën e kërkesave të dënuarve dhe të paraburgosurve, kundrejt dokumentacionit të nevojshëm ligjor, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shoqërimin e tyre pranë qendrave të votimit, ku ata kanë qenë të regjistruar për të votuar”, - thotë DPB.
Ajo sqaron se në asnjë dispozite të Kodit Zgjedhur nuk thuhet se i dënuari ose i paraburgosuri nuk duhet të shkojë që të ushtrojë të drejtën kushtetuese të votimit në qendrën e votimit ku ai është regjistruar.
Ndaj DPB thekson se shoqërimi i tyre nga ana e Policisë së Burgjeve është bërë konform dispozitave ligjore në fuqi duke evidentuar se të burgosurit janë shoqëruar për të votuar nga disa IEVP, si “Jordan Misja”, “Mine Peza”, “Ali Demi”, Vaqarr, Tepelenë, Korçë, Rrogozhinë etj.
DPB njofton edhe se deri në orën 16:00, kanë votuar 417 persona me liri të kufizuar në të gjitha IEVP. Nga këta, 100 të paraburgosur dhe të dënuar janë me shoqërim.
e.t/NOA
VIDEO: Nje i burgosur voton ne QNV, Tiranë