Tiranë, 9 maj 2011, NOA/ Ervin Tirana – Nga numri i votave deri në orët e drekës, rezulton se kandidati i Partisë Socialiste, Edi Rama, është në avantazh ndaj rivalit demokrat Lulzim Basha për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Në të gjitha KZAZ-të e kryeqytetit, sot po kryhet procesi i numërimit të votave.
Bashkëpunëtorët e NOA raportojnë se momentalisht ka një ndërprerje në disa prej KZAZ-ve për të rifilluar numërimin pas pak orësh për shkak të një ndërprerjeje pushimi.
Të dhënat e deritanishme flasin për dominancë të Edi Ramës tek KZAZ nr 46 ku po numërohen votat e kutive të qendrave të votimit të njësisë nr 2.
Deri tani janë numëruar votat e shtatë kutive ndër 54 që janë në total. Atje dominon Edi Rama.
Sakaq nga të dhënat e orës 14.00 është përfunduar numërimi i votave tek dy qendra të tjera.
Në njërën prej tyre Lulzim Basha ka 420 vota dhe Edi Rama 364 vota.
Kurse në tjetrën, Edi Rama ka 399 vota dhe Lulzim Basha 248 vota.
Këto kuti votimi i përkasin zonave të njësisë nr 2 e cila shtrihet nga sheshi Skënderbej, rruga Qemal Stafa dhe deri në Sauk. E po ashtu, përfshin bulevardin Dëshmorët e Kombit, deri te rruga Arkitekt Kasemi duke përfshirë Qytetin Studenti, Shkollën e Baletit, etj.
Një tjetër informacion i minutës së fundit vjen nga Njësia nr 8.
Mësohet se kutia e parë kja sjellë si rezultat 435 vota për Bashën dhe 322 për Ramën.
Kjo zonë përfshin bulevardin Zogu i Parë deri te Selvia, rrugën Siri Kodra, atë Riza Cerova, etj.
Sakaq në të gjithë vendin po vazhdon procesi i numërimit të votave.
Bëhet e ditur fitorja e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj në Aleancën për të Ardhmen në Himarë ku procesi ka përfunduar.
Sakaq zëdhënësja e PS raporton dhe bashki të tjera të fituara:
“Në Himarë, Rrëshen, Përmet, Sarandë e Gramsh kanë fituar kandidatët tanë. Po ashtu pritet fitore edhe në Durrës e Pogradec”, - tha zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli.
Nga KQZ thuhet paraprakisht se PD ka fituar bashkinë e Peqinit.
Sakaq, nga Aleanca për Qytetarin nuk ka deri tani ndonjë dalje publike. Mbrëmë pak pas mesnate, kandidati për Tiranën Lulzim Basha tha se do të priste vetëm shpalljen zyrtare të rezultatit për tu shprehur mbi zgjedhjen ose jo të tij.
e.t/NOA