Tiranë, 9 maj 2011 NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana informon se në Lucca, Itali, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Meriklant (Mareklant) Jak Djaloshi, 30 vjeç, lindur në Manëz, Durrës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.357, datë 09.06.2008, e ka dënuar Djaloshin, me 1 vit burg e 600.000 Lekë gjobë, për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”.
Djaloshi, është shpallur fajtor pasi në vitin 2005, ka falsifikuar disa autorizime pune italiane, në këmbim të shumës prej 3500 Eurosh për çdo autorizim.
Këto autorizime pune janë paraqitur në Ambasadën Italiane në Tiranë, nga shtetasit të cilëve iu ishin dhënë, me qëllim marrjen e vizave të punës.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha për agjencinë NOA se këtë vepër, i dënuari, Mareklant Djaloshi e ka kryer në bashkëpunim me babain e tij, Jak Djaloshi, i cili qëndronte në Durrës dhe gjente personat që do t‘ju bëheshin autorizimet e falsifikuara.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në datën 06.05.2011, u bë i mundur arrestimi i Djaloshit me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
e.t/NOA