Vinçi, 9 maj, NOA - Një i arratisur shqiptar, tregtar armësh, u arrestua në Vinçi të Italisë, ku rezultonte si i fshehur prej kohësh.
Lajmi për kapjen e tij u konfirmua nga mediat italiane, sipas të cilave, kanë qenë pikërisht forcat e Guardia di Finanzas që kanë mundësuar kapjen e tij.
Fjala është për të shumëkërkuarin nga Interpoli dhe forcat e policisë në të gjithë Evropën, Besnik Kulla, pasi akuzohet për posedimin e mbajtjen e armëve dhe municioneve të luftës dhe agresionit.
Në agim, në shtëpinë ku ishte fshehur i arratisuri mbërritën forcat policore, ndërsa mësohet se ata e kanë bastisur atë.
Siç mësohet më pas, Kulla nuk u ka rezistuar policëve italianë, por u përpoq që t’i bënte të besonin se bëhej fjalë për një rast të identitetit të gabuar duke treguar një pasaportë me të dhëna të tjera shqiptare.
Një përpjekje e dështuar kjo, pasi Kulla nuk ka qenë megjithatë në gjendje për të dhënë datën e tij të lindjes të deklaruar në pasaportën e rreme.
Për të sqaruar çdo dyshim rreth tij, policia u detyrua që të kontrollonte gjurmët e gishtave.
Përveç urdhrit të ndalimit të lëshuar nga gjyqtarët shqiptarë kundër tij, një urdhër arresti ishte lëshuar edhe nga Prokurori Publik i Orvietos, për dhunë dhe rezistim ndaj një zyrtari publik.
Kulla, i cili tani është në burgun Sollicciano të Firences, do të qëndrojë për një vit e gjysmë aty dhe pastaj do të deportohet në Shqipëri.
n.e/NOA