English

Kodheli: Kandidati socialist në Kavajë kryeson me 70 përqind të votave

Tiranë, 9 maj 2011, NOA – Zëdhënësja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli deklaroi pak më parë se kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” që garon për bashkinë e Kavajës është përpara me vota, kundrejt kandidatit demokrat, pikërisht në këtë zonë që prej vitesh është bastion i Partisë Demokratike.

Në deklaratën më të fundit zonja Kodheli bëri me dije se në numërimin e dy qendrave të para, kandidati socialist për Kavajën Elvish Roshi ka marrë 70 përqind të votave kundrejt 30 përqind të kandidatit demokrat.

Zëdhënësja e PS-së tha se kandidatët socialistë kanë fituar garën në Përmet, Ballsh, Poliçan, Rrëshen dhe Urën Vajgurore.

Ndërkohë Mimi Kodheli deklaroi se kandidati socialist në Korçë Niko Peleshi kryeson në qytetin e Korçës pas numërimit në 15 qendra, po ashtu edhe kandidati socialist në Pogradec në 7 qendra si edhe në Krujë.

Nën brohorimat e militantëve që kanë mbërritur në selinë rozë, zëdhënësja e Partisë Socialiste falenderoi sakaq të gjithë qytetarët shqiptarë që votuan masivisht duke i dhënë votën Partisë Socialiste dhe kandidatëve të “Aleancës për të Ardhmen”.

mit/NOA

KOMENTE