English

Kur fiton, nuk t’i kanë vjedhur votat...

Ela Bardhi

Kur ke pranë fitoren, nuk ke përse ta largosh.

Siç mund të bësh me humbjen, teksa përpiqesh të kapesh diku për ta justifikuar.

Këtë mënyrë të re sjellje, duket se ka zgjedhur të adoptojë gjatë ditës së sotme selia rozë, ndërsa ka mësuar rezultatet e para të zgjedhjeve për mjaft bashki të vendit, ku ka konkluduar si fituese.

Krejt ndryshe kjo, nga dita e djeshme, kur vetë kreu i saj, Edi Rama, u çorr në konferencë shtypi, se “standardet e këtyre zgjedhjeve ishin vetëm nëpër ekrane”.

Ky njeri, menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit ka deklaruar saktësisht se “këto ishin zgjedhjet më të mira për ekranin, por ishin edhe zgjedhjet më të shëmtuara në realitetin e njerëzve të zakonshëm”.

“Votimi i të burgosurve nëpër kryeqytet tregon se jo vetëm ishte një turp për procesin zgjedhor, por tregon se qeveritarët ishin të vetëdijshëm për humbjen, por dëshmuan edhe standardet e tyre.

Janë dhënë shembujt dhe provat spektakolare të një mospërputhjeje me standardet ndërkombëtare”, tha Rama, duke goditur haptazi standardet e arritura në këtë proces zgjedhor.

Për të cilat, asnjë ndërkombëtar apo qytetar nuk ka dalë kundër dhe të deklarojë se u cenuan (të paktën deri tani).

Të gjitha këto deklarata, të bëra në mesnatën e djeshme, ndërsa agimi që trokiti me fitoret e para të Partisë Socialiste, duket se e ka ngritur ndryshe nga gjumi shefin e saj.

Asnjë fjalë goditëse më ndaj standardeve të këtyre zgjedhjeve, as kritika ndaj vëzhguesve të huaj që nuk ditën t’i mbikëqyrin siç duhet dhe të “ruanin votën e sovranit” ...

Që të gjitha këto fjalë, që i dëgjuam për më shumë se dy vjet nga përfaqësuesit e selisë rozë, të cilët me të gjitha mënyrat bënë çmos që të hidhnin baltë mbi procesin e fundit zgjedhor, atë të 29 qershorit 2009.

Pikërisht, atëherë kur mësuan humbjen dhe deshën të mos ta pranojnë atë me çdo kusht.

Qoftë edhe duke u shtrirë dhe duke fjetur poshtë zyrës së Kryeministrit për më shumë se dy javë.

Apo duke dhunuar për më shumë se dy vjet ekranet televizive me fjalët “vjedhje votash”, “hap kutitë”, “manipulime” etj. etj.

Këtë ditë, edhe fytyra e komisioneres socialiste të KQZ-së, Dëshira Subashi, duket ndryshe nga dje, apo herët e tjera të proceseve zgjedhore, kur mezi priste momentin që të ngrihej dhe të bojkotonte mbledhjet.

“Në emër të idealit të lartë elektoral dhe kodit zgjedhor”.

Kur fitoke, duket se nuk t’i kanë vjedhur votat ...

Ato mesa duket, t’i vjedhin, vetëm kur humb ...

* Pikëpamjet janë qëndrim personal dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE
  • Jemin Loci shum i mir 12:42 - 10 Maj 2011
    LULZIM BASHA KRYETAR BASHKIE NE TIRANE
  • Jemin Loci shum i mir 12:40 - 10 Maj 2011
    do fitoje LULZIM BASHA patjeter ne tirane ... pavarsisht pes ka fitue EDI RAMA ne disa rrethe
  • vlonjati00:13 - 10 Maj 2011
    nuke kuptoj cfar do te tregoj me kete shkrim