English

Mirënjohja ime

Ne kemi detyrim në çdo cep të Shqipërisë, në çdo bashki e komunë të nxjerrim nga kutitë shprehjen e vullnetit të popullit sovran. Pa lejuar që rrugës ajo të cënohet apo akoma më keq të deformohet

Nga Edi Rama

Mirënjohje të gjithë atyre që votuan sot Aleancën për të Ardhmen, Partinë Socialiste, mua dhe kandidatët e kësaj aleance që do ti qëndroj të gjitha angazhimeve të veta dhe nuk do të zhgënjej asnjë qytetar e qytetare që votoi sot për të. Dëshiroj që edhe qytetarët që nuk na votuan ta dinë se për ne janë të barabartë dhe njëlloj të respektuar dhe ne do t’i shërbejmë me një përkushtim edhe më të madh dhe do të angazhohemi edhe më fort për t’ju provuar se rruga jonë është e vetmja rrugë për të jetuar në një vend më të mirë.

Fitorja jonë në Tiranë është e qartë, mbetet vetëm për tu parë thellësia e saj dhe përtej kundërshtarëve për të thënë të kundërtën, është një film që e kemi parë tre herë të tjera dhe do ta rishohim përsëri edhe këtë herë. Por e bukur do të jetë edhe fitorja në mbarë Shqipërinë.

Ndërsa tani është ora për të folur për procesin që vazhdon. Dëshiroj të komunikoj për të gjithë njerëzit e angazhuar nga Vermoshi në Konispol në këtë proces zgjedhor, domosdoshmërinë që puna e bërë deri tani nën një presion të shëmtuar e të kudondodhur të vazhdojë me ngulm, vëmendje, pasion dhe durim të hekurt. Beteja vazhdon dhe është e gjatë. Populli ka folur dhe ka folur qartë.

Ne kemi detyrim në çdo cep të Shqipërisë, në çdo bashki e komunë të nxjerrim nga kutitë shprehjen e vullnetit të popullit sovran. Pa lejuar që rrugës ajo të cënohet apo akoma më keq të deformohet.

Është e domosdoshme që gjithsecili i angazhuar në procesin e mbylljes së fazës së parë dhe tranzicioni drejt fazës së dytë asaj të numërimit të kryejë detyrën me përpikmëri duke zbatuar ligjin, por njëkohësisht duke qenë syhapur për të mos lejuar deformimin e procesit nga ata që janë të prirur ta shkelin ligjin.

Këto ishin zgjedhjet më të mira ne ekran, të paktën qyshse unë mbaj mend drejtpërdrejtë në fushën e betejës. Por ishin edhe zgjedhjet më të shëmtuara në realitetin e njerëzve të zakonshëm.

Presione, kërcënime, përpjekje të gjithanshme për të ushtruar të gjithë trysninë e shtetit mbi shqiptarë e shqiptare që nuk ja kishin borxh as Saliut, as Ilirit dhe për më tepër tërësisë së oborrit të kusarisë gjithë atë përshkrim të rrugës së zgjedhjeve, rrugës drejt zgjedhjeve me gjithë atë trysni në kurriz.

Zgjedhje që sigurisht do të marrin vlerësimin përfundimtar kur të përfundojnë me vulosjen e rezultatit, por që përsa i përket procesit kanë dhënë shembuj dhe prova spektakolare të një mospërputhjeje me standardet ndërkombëtare.

Ashtu siç ne i kuptojmë ato, ashtu siç ne i dëshirojmë ato, ashtu siç ne i kemi ato parasysh në fushën e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme tash 2 vjet. Të marrim thjesht dhe vetëm një shembull, për të mos hyrë në detaje të panumërta, janë dëshmuar këto detaje në një pjesë të mirë të tyre nga media.

Janë dëshmuar në pjesë të tjera të tyre nga dëshmitarët në anembanë vendit gjatë gjithë këtyre ditëve të fushatës elektorale. Mjafton votimi sot i të burgosurve nëpër kryeqytet për të dhënë një pamje të faktit se jo vetëm ishte një turp për procesin zgjedhor, por edhe se nga një anë kundërshtarët ishin plotësisht të vetëdijshëm për humbjen dhe nga ana tjetër fatkeqësisht të papërgjegjshëm për të treguar atë që ju takonte si përgjegjësit e drejtpërdrejtë të garantimit të procesit zgjedhor në aspektin e standardeve ndërkombëtare.

Dëshiroj të rinënvizoj se të gjitha këto nuk e cënojnë, por e bëjnë më të çmuar fitoren tonë. Nga ana tjetër dëshiroj që ti garantoj që të gjithë se ne jemi në këmbë 24 orë në 24 në gjithë Shqipërinë për të mbrojtur çdo votë, duke e numëruar atë ashtu siç e ka përcaktuar vullneti i çdo qytetari, çdo votë për çdo kandidatë, çdo votë për çdo subjekt politik.

Në këtë aspekt dua të saktësoj se është një thirrje për të gjithë administratorët e procesit që edhe partia më e vogël në gjithë shumatoren e partive në këtë garë duhet të garantohet nga përfaqësuesit tanë në të gjitha komisionet e numërimit në mënyrë që në fund të kemi një rezultat konform vullnetit të popullit sovran për të gjitha subjektet politike, pa diskutuar kandidatët.

KOMENTE