E hënë, 9 maj 2011, NOA- Presidenti amerikan Barak Obama thotë se dha urdhër për sulmin kundër udhëheqësit të al-Kaedës Osama bin Laden pasi vendosi se mundësia për të kapur personin më të kërkuar i tejkalonte rreziqet. Zoti Obama tha gjatë një interviste për rrjetin CBS dje se shqetësimi i tij numër një ishin pjesëtarët e ekipit special. Presidenti u shpreh se kohëzgjatja e operacionit ishte 40-minutëshi më i gjatë që kishte kaluar ndonjëherë ndoshta me përjashtim të kohës kur vajza e tij e vogël Sasha u sëmur me meningjit kur ishte 3 muajshe.
Obama tha se kushdo që ka dyshime nëse bin Laden e meritonte fatin e tij, duhet të vizitohet për probleme në tru. Presidenti amerikan tha se është ende e paqartë nëse qeveria pakistaneze ishte në dijeni të faktit se bin Laden ndodhej në vend. Por ai nuk i akuzoi autoritetet pakistaneze se kishin strehuar terroristin më të kërkuar në botë.
Administrata Obama thotë se materialet e grumbulluara nga kompleksi i bin Ladenit në Pakistan tregojnë se udhëheqësi terrorist i kushtonte vëmendje imazhit të tij dhe se ai mbetej një udhëheqës aktiv i operacioneve të al-Kaedës 10 vjet pas sulmeve terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara.
Ka kaluar më se një javë që nga vrasja e Bin Ladenit dhe administrata Obama po bën komentet fillestare lidhur me atë që e cilëson si “thesar material” të gjetur në memorien e kompiuterave dhe pajisje të tjera të marra nga kompleksi ku jetonte bin Ladeni.
Këshilltari i Presidentit Obama, Tom Donilon bëri dje komente për emisionin e lajmeve Fox Neës.
"Ende vazhdojmë analizën e materialeve. Sasia e dokumentave është për t’u shënuar. Është sasia më e madhe e dokumentave të zbulimit të gjetura nga një udhëheqës terrorist. Këto materiale duhet të përkthehen dhe të analizohen. Jemi aktualisht në këtë proces”.
Donilon thotë se videot e publikuara ditët e fundit ku Bin Laden shfaqet duke bërë prova para se të regjistrojë mesazhin, apo duke ndjekur transmetime televizive për të, ofrojnë një vështrim më të thellë mbi këtë individ:
"Mendoj se këto tregojnë vëmendjen që ai i kushtonte imazhit të tij publik dhe vëmendjen për rëndësinë e propagandës në operacionet e al-Kaedës”.
Këshilltari mbi sigurinë kombëtare nuk pranoi të komentonte mbi të dhënat e zbulimit që janë marrë nga materialet e gjetura në kompleks deri tani dhe nëse këto materiale mund të çojnë në zbulimin e figurave të tjera apo komploteve të tjera të al-Kaedës. Por ai tha se këto materiale tregojnë se bin Ladeni ishte shumë i angazhuar në rrjetin terrorist:
"Osama bin Laden nuk ishte thjesht një figurë simbolike e al-Kaedës. Faktikisht ai kishte një rol operacional dhe strategjik në organizatë. Kjo gjë del qartë nga informacioni që kemi marrë aktualisht”.
Donilon tha se ndër personat që Presidenti Obama kontaktoi që në fillim pas operacionit të suksesshëm të forcave speciale në Pakistan, ishte ish-Presidenti Xhorxh Bush.
Në emisionin e lajmeve Fox Neës foli edhe nënpresidenti Dik Çejni, i cili kritikoi politikat e administratës Obama që kanë përjashtuar mbytjen e simuluar për të nxjerrë informata nga personat e dyshuar si terroristë:
"Mendoj se shumë teknika që kemi përdorur për të garantuar sigurinë e atdheut nën administratën Bush nuk janë në përdorim më. Nuk e kam të qartë nëse kemi ende një program për marrjen në pyetje të personave me interes, apo nëse mund ta nënshtrojmë dikë që konsiderohet si i ndaluar me potencial, nën një program të marrjes në pyetje për të nxjerrë informata me rëndësi jetike”.
Drejtori i CIA-s Leon Panetta ka thënë se disa nga të dhënat e zbulimit që çuan në vrasjen e Osama bin Ladenit ishin nxjerrë nga individë të ndaluar dhe që iu nënshtruan një procesi “të zgjeruar të marrjes në pyetje”.
VOA/NOA