Tiranë, 9 maj 2011, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaroi sot se gjatë procesit të numërimit të votave po cënohet vota e saj në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Berat. Kjo parti bëri me dije se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të denoncuar parregullsitë e vërejtura.
PDIU i bëri thirrje forcave politike të administrojnë procesin e numërimit sipas standardeve dhe frymës së votimit të qytetarëve shqiptarë.
Këtu partia e rreshtuar si partia e çështjes çame dhe asaj shqiptare përshëndet atmosferën në të cilën u zhvilluan zgjedhjet e të dielës.
“Shqiptarët dje kanë votuar si qytetarë evropianë. Për Shqipërinë dhe shqiptarët është e nevojshme që këto zgjedhje të jenë në përputhje me standardet evropiane. PDIU i bën thirrje forcave politike që janë pjesë e administrimit të procesit zgjedhor që
tëruajnë standardet e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e PDIU.
Sipas saj në zgjedhjet e 8 majit nuk kishte të fituar dhe të humbur, por kanë fituar proceset integruese të Shqipërisë.
PDIU nënvizon se kjo parti ka arritur rezultate pozitive në të gjithë vendin.
Sipas PDIU, konfirmohet fitorja e kandidatit të PDIU në Bashkinë Rrogozhinë, z. Ndriçim Dushku.
Ndërkohë në Bashkinë Delvinë, PDIU është shpallur forcë e parë politike, ndërsa deri tani është forcë e dytë politike në bashkitë Peqin, Rrëshen dhe Bajram Curri.
mit/NOA