Tiranë, 9 Maj 2011 NOA - Strukturat e Policisë së Shtetit kanë përballuar me sukses të gjitha fazat e procesit të votimit duke filluar nga marrja në ruajtje e KZAZ-ve dhe e Qendrave të Votimit, shoqërimi i materialeve zgjedhore, ndjekja në vazhdimësi e garantimi i sigurisë gjatë gjithë procesit të votimit, si dhe shoqërimi i kutive të votimit e dorëzimi i tyre konform akteve ligjore e kundrejt procesverbalit përkatës dhe së fundi ruajtja e sigurimi i Vendeve të Numërimit të Votave.
Kështu vlerësoi sot Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e cila tha se menaxhimi i suksesshëm i kësaj faze të rëndësishme të procesit zgjedhor u realizua në sajë të masave të marra, angazhimit maksimal të çdonjërit prej punonjësve të policisë dhe qëndrimit korrekt në zbatim të akteve ligjore e nënligjore.
Kjo drejtoi njoftoi se tashmë forcat e policisë janë në gatishmëri të plotë dhe po vazhdojnë të garantojnë sigurinë pranë Vendeve të Numërimit të Votave.
Gjatë gjithë ditës së djeshme deri në orët e para të ditës së sotme është kërkuar ndërhyrja e strukturave të Policisë së Shtetit me vendim të Komisionit të Qendrave të Votimit apo të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor gjithsej në 18 raste, nga këto në 12 raste pranë Qendrave të Votimit dhe në 6 raste pranë Vendeve të Numërimit të Votave.
Pas rivendosjes së rendit konform rregullave dhe kundrejt vendimit përkatës të këtyre Komisioneve punonjësit e policisë janë larguar sërish jashtë këtyre ambienteve, duke vazhduar të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit e të qetësisë deri në përfundim të procesit. Duhet theksuar se ndërhyrja është kërkuar kryesisht për shkak të fluksit të madh të personave që kishin ardhur për të votuar apo për shkak të problemeve të krijuara nga personat e pranishëm në këto ambiente.
Gjatë natës së mbrëmshme dhe orët e para të mëngjesit të ditës së sotme është kërkuar ndërhyrja e Policisë së Shtetit në 6 raste pranë Vendeve të Numërimit të Votave, konkretisht:
1. Rreth orës 02.00’, KZAZ-ja Nr. 28, në Korçë, me vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë, pasi është krijuar konfuzion dhe vështirësi në Vendin e Numërimit të Votave si rezultat i fluksit të madh të personave (komisionerë dhe personave të tjerë) në VNV. Punonjësit e policisë pasi kanë ndërhyrë e normalizuar situatën janë larguar nga VNV-ja sërish me vendim të KZAZ-së. Gjatë ndërhyrjes nuk ka pasur asnjë incident.
2. Rreth orës 04.50’, nga KZAZ-ja nr. 25, në Gjirokastër, me Vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë për shkak të vështirësive të krijuara dhe cenimit të rregullit nga personat e pranishëm në këto ambiente. Gjatë ndërhyrjes nuk ka pasur asnjë incident. Me vendosjen e rregullit me Vendim të KZAZ punonjësit e policisë janë larguar nga VNV-ja.
3. Rreth orës 05.45’, nga KZAZ-ja Nr. 27, në Përmet, me Vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë në ambientet e KZAZ-së për vendosjen e rregullit të cenuar nga personat e pranishëm në këto ambiente. Gjatë ndërhyrjes nuk ka pasur asnjë incident. Me vendosjen e rregullit KZAZ-ja, me Vendim ka kërkuar largimin e punonjësve të policisë nga VNV-ja.
4. Rreth orës 01.10’ në KZAZ-ja Nr. 61, në Vlorë me Vendim ka kërkuar largimin e një personi nga këto ambiente, i cili nuk ishte anëtar i komisionit të numërimit të votave. Pas realizimit të ndërhyrjes me Vendim të KZAZ-së punonjësit e policisë janë larguar sërish nga VNV-ja.
5. Rreth orës 10.40’, nga KZAZ-ja nr. 61, Vlorë , me Vendim është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të policisë për vendosjen e rregullit të cenuar nga personat e pranishëm në këto ambiente. Gjatë ndërhyrjes nuk ka pasur asnjë incident. Me vendosjen e rregullit me Vendim të KZAZ-së punonjësit e policisë janë larguar nga VNV-ja.
6. Rreth orës 09.40’, nga KZAZ-ja nr. 11, në Krujë, me Vendim është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të policisë për vendosjen e rregullit të cenuar nga personat e pranishëm në këto ambiente. Gjatë ndërhyrjes nuk ka pasur asnjë incident. Me vendosjen e rregullit me Vendim të KZAZ-së punonjësit e policisë janë larguar nga VNV-ja.
Ndërkohë ditën e votimit nga KQV-të dhe KZAZ-të është kërkuar ndërhyrja e policisë pranë Qendrave të Votimit me vendim sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative vetëm në 12 raste, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit duke kryer detyrën për normalizimin e gjendjes dhe më pas është larguar sërish me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit. Konkretisht:
Rreth orës 09.15’ në qendrën e Votimit Nr.3209, në fshatin Seman i Ri Komuna Topojë, në Fier, ku dy persona kanë fyer dhe qëlluar me pëllëmbë dy anëtar të Komisionit të kësaj Qendre Votimi. Me Vendim të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të policisë dhe pasi është neutralizuar situata po përsëri me Vendim te Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 11.20’ në Qendrën e Votimit Nr.2896, në fshatin Zhelizhan Komuna Allkaj, në Fier, ku një person pasi ka mbaruar procedurën e votimit nuk ka pranuar të largohet nga Qendra e Votimit. Me Vendimin të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të policisë dhe pasi është neutralizuar situata po përsëri me Vendim te Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 12.30’ në Qendrën e Votimit Nr.3027/1 në lagjen Afrim në Fier, dy anëtarë të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, janë konfliktuar dhe më pas goditur me njëri-tjetrin. Me Vendim të Komisionit të kësaj Qendre Votimi, është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të policisë dhe pasi është neutralizuar situata po përsëri me Vendim te Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 11.50’, KZAZ-ja nr. 25 në Gjirokastër, me vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë në Qendrën e Votimit nr. 4347, në fshatin Nepravishtë, për të larguar disa persona që prishnin rendin jashtë qendrës së votimit. Gjatë ndërhyrjes nuk pati asnjë incident dhe me rivendosjen e rregullit po me vendim të KZAZ-së punonjësit e policisë janë larguar.
Rreth orës 11.30’ me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit nr. 3793 në fshatin Podgorie komuna Vreshtas në Korçë është kërkuar ndihma e policisë pasi fluksi i votuesve ka tejkaluar numrin normal të tyre brenda qendrës së votimit. Pas normalizimit të situatës me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit punonjësi i policisë është larguar .
Nga komisioni i Qendrës së Votimit nr.4406, në fshatin Novoselë, Vlorë, me vendim është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të policisë në këtë qendër votimit pasi shtetasi Miltiadh Qarri vëzhgues i kandidatit të subjektit të pavarur ka bërë fushatë e propagandë në Qendrën e Votimit. Në orën 14.00’ punonjësit kanë ndërhyrë duke normalizuar situatën dhe larguar personin e sipërcituar dhe sërish e vendim të komisionit është larguar.
Gjithashtu, në ora 13.00, të datës së sotme, në Qendrat e Votimit 0135 dhe 0142, në fshatin Koman, të Komunës Temal, rrethi Shkodër, në zbatim të vendimit të komisionit të këtyre dy qendrave, ku është kërkuar ndërhyrja e policisë, pasi ka pasur shumë votues brenda në qendrat e sipërpërmendura, forcat tona policore kanë ndërhyrë për të vendosur rendin dhe qetësinë publike dhe aktualisht vazhdon procesi i votimit normalisht.
Rreth orës 18.25’ Komisioni i Qendrës së Votimit nr.3683, në Korçë me vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë, pasi është krijuar vështirësi si rezultat i fluksit të madh të votuesve. Pas normalizimit të situatës punonjësit e policisë janë larguar sërish me vendim të komisionit.
Rreth orës 19.25’ sërish Komisioni i Qendrës së Votimit nr.3683, në Korçë me vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë, pasi është krijuar vështirësi si rezultat i fluksit të madh të votuesve. Pas normalizimit të situatës punonjësit e policisë janë larguar sërish me vendim të komisionit.
Rreth orës 19.25’ Komisioni i Qendrës së Votimit nr.3674, në Korçë me vendim ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë, pasi është krijuar vështirësi si rezultat i fluksit të madh të votuesve. Pas normalizimit të situatës punonjësit e policisë janë larguar sërish me vendim të komisionit.
Rreth orës 16.15’ në Qendrën e Votimit Nr. 2592 në fshatin Xibrrakë, Komuna Shalës të rrethit Elbasan është thyer një nga kutitë e votimit nga shtetasi Vladimir Çapja, i cili kryente detyrën e vëzhguesit të një prej subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Nga Komisioni i Qendrës së Votimit është marrë vendim nr. 3 për pezullimin e votimit në këtë qendër, si dhe vendimi nr. 4 që urdhëron Policinë e Shtetit për shoqërimin e materialeve zgjedhore në Komisionin Zonal të administrimit Zgjedhor për vlerësim dhe administrim nga ky komision.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se krahas angazhimit për garantimin e mbarëvajtjes së procesit të votimit strukturat e policisë po punojnë me intensitet dhe në drejtim të përmbushjes së detyrave institucionale për garantimin e rendit e të sigurisë në të gjithë vendin.
e.t/NOA