Tiranë, 9 maj 2011, NOA – Me një entuziasëm të dukshëm lideri socialist Edi Rama, njëherësh kandidati për të katërtin mandat për bashkinë e kryeqytetit deklaroi se koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar zgjedhjet në mbarë vendin me një rezultat të qartë e të pastër. Në daljen e dytë për mediat që prej ditës së zgjedhjeve, kryesocialisti Rama deklaroi pak minuta më parë nga selia rozë se beteja për fitoren e të majtës vazhdon, pasi tashmë sikundër tha ai është radha e numëruesve.
Këtu shefi i opozitës shprehu mirënjohjen për të gjithë komisionerët e Partisë Socialiste, burra e gra siç tha ai, që me pasion iu nënshtruan trajnimit të posaçëm dhe respektuan gërmë për gërmë planin për mbrojtjen e votës.
Ndërkohë që numërimi i votave vijon ethshëm në mbarë vendin, Rama i bëri thirrje numëruesve të mos lejojnë të preket asnjë votë.
Rama garantoi se edhe partitë e vogla mund ta quajnë veten të mbrojtur nga komisionerët socialistë të numërimit të votave.
“Ne i kemi fituar zgjedhjet qartë e pastër. Jemi përgatitur dy vjet për këtë ditë të bukur, që të smbrapsim çdo orvatje për manipulim”, theksoi lideri socialist.
Ai shprehu bindjen për kandidatëve socialistë në një numër të madh bashkish më të rëndësishmet në vend, duke veçuar këtu edhe fitoren e një kandateje grua, në Burrël.
“Unë veçoj fitoren e një zonje në Burrel, e cila do të qeverisë për katër vjet këtë bashki.
Lideri i opozitës tha se rezultatet i fitores do të rriten gjithnjë e më shumë referuar procesit të numërimit të votave që ka ende shumë rrugë përdrejt mbylljes.
Sipas Ramës gjerdani i fitoreve do të shtrihet jo vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në disa qytetet të tjera, që sipas tij, do të jenë surpriza e këtyre zgjedhjeve.
Rama i bëri apel komisionerëve të numërimit të votave të rrinë në këmbë dhe zgjuar deri në numërimin e votës së fundit.
Ndërkohë kryesocialisti Edi Rama kryeson me 15448 vota në rezultatet paraprake kundrejt 14 596 votave që ka mbledhur deri tani kandidati demokrat Lulzim basha.
Pritet që deri në fund gara mes socialistit Rama dhe kandidatit demokrat Basha të jetë tejet e fortë, për shkak se kandidati socialist për më tepër është edhe kryetari i Partisë Socialiste, partisë më të madhe opozitare në vend, që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009 fitoi më shumë vota si parti në qytetin e Tiranës, por edhe në rang vendi.
mit/NOA