English

Rezultatet paraprake në disa bashki, kryesojnë të majtët

E hënë, 9 maj 2011, NOA – Rezultatet paraprake të publikuara në monitorët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve flasin për një përparim të dukshëm të kandidatëve të koalicionit të majtë “Aleanca për Qytetarin”, që kryesojnë me votat e deritanishme në disa nga bashkitë më të mëdha të vendi, rezultate që përditësohen moment pas momenti për shkak se numërimi vazhdon ende.

Në Elbasan udhëheq bindshëm kryebashkiaku aktual Qazim Sejdini i Partisë Socialiste me 5224 vota, ndaj rivalit të tij ish-deputetit Durim Hushi, i propozuar nga LSI, që ka marrë 3497 vota, ndërkohë që ka ende mbi 90 kuti për t’u votuar në këtë qytet.

Në bashkinë e Gjirokastrës udhëheq me vota kryebashkiaku aktual i Gjirokastrës Flamur Bime që garon për të majtën, i cili numëron 3137 vota kundrejt rivalit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Genci Sinoimeri që ka mbledhur deri tani 2528 vota.

Fadil Nasufi kryeson me vota në Berat kundrejt rivalit demokrat Ilir Devolli.

Ndërkohë në bashkinë e Fierit është kryebashkiaku Baftjar Zeqaj i “Aleancës për të Ardhmen” që numëron deri më tani 5043 vota, ndaj 3505 votave të marra nga rivali i “Aleancës për Qytetarin” Ilir Bele.

Edhe në qytetin e Lushnjes, kandidati i koalicionit të majtë ish-deputeti Fatos Tushe udhëheq me 1849 vota procesin e numërimit, ndërkohë që kryebashkiaku aktual i Lushnjes Albert Sanxhaku i LSI-së numëron 1344 vota.

Në Kukës kandidati demokrat Hasan Halilaj ka marrë 3299 vota, kundrejt Alfred Cengut të PS-së që numëron der tani 1949 vota, ndërkohë që janë numëruar 11 nga 18 kutitë e votimit.

Edhe në Fushë-Krujë, kur janë numëruar 6 kuti votimi nga 20, kryeson kandidati socialist Gjok Bardhi me 437 vota më shumë.

Në bashkinë e Pogradecit kreu aktual Artan Shkëmbi, i cili garon për mandatin e tretë, kryeson me 2075 vota, kundrejt Luan Topçiut të “Aleancës për Qytetarin” që ka mbledhur deri tani 1487 vota.

Në komunën e Krumës, bastion i demokratëve kryeson Liman Morina i Partisë Socialiste me 1619 vota, kundër Bardhyl Pekës të PD-së që ka marrë 1239 vota.

Në bashkinë e gjashtë në vend, Kamëz, kandidati demokrat Xhelal Mziu kryeson me 3228 vota, kundrejt Rakip Sulit të propozuar nga “Aleanca për të Ardhmen” që numëron 3076 vota.

Në qytetin e Korçës udhëheq kryebashkiaku aktual i PS-së Niko Peleshi, kundrejt atij demokrat ish-prefektit Andrea Mano.

Në Korçë pritet të numërohen deri në përfundim të procesit 62 kuti votimi.

Ndërkohë në Shkodër nisi numërimi i votave pas mesditës.

Koalicioni i majtë ka fituar edhe në Përmet.

mit/NOA

KOMENTE