Tiranë, 9 Maj, NOA/ Nga Eglantina Nasi - Ministri i Financave i Bullgarisë, Simeon Djankov, i cili është i ngarkuar nga qeveria e vendit të tij edhe me misionin për të ruajtur e krijuar lidhjet me diasporën bullgare, ka zhvilluar një takim të fshehtë me anëtarë të pakicës bullgare në Shqipëri.
Ky fakt konfirmohet nga mediat bullgare, sipas të cilave, takimi është zhvilluar gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar ditën e sotme, pas një vizite në Kroaci.
Lidhur me detajet e fshehta këtij takimi, bëhet me dije se pasi i ka përshëndetur përfaqësuesit e pakicës bullgare në Shqipëri, në selinë e ambasadës mike në Tiranë, ministri Djankov, ka premtuar para tyre edhe hapjen në të ardhmen të një qendre kulturore bullgare në Tiranë. Konkretisht, i dërguari i qeverisë bullgare në Tiranë, u takua me anëtarët e tri shoqatave ekzistuese të personave me origjinë bullgare në Tiranë.
Njëri prej tyre, Hadzhi Pirushi, e ka vlerësuar gjatë këtij takimi programin e posaçëm të qeverisë bullgare për pranimin e të rinjve të pakicës bullgare nga Shqipëria, në universitetet e vendit ballkanik të origjinës.
Ndërsa nga ana e tij, ministri bullgar i Financave, u shpreh lidhur me këtë fakt se “qeveria e vendit të tij, do të sigurojë fonde shtesë për bursa të studentëve me origjinë bullgare, nga jashtë vendit”.
Saktësisht, ai theksoi se qeveria e Bullgarisë është duke punuar për të siguruar një renditje të universiteteve, të cilat do të çojnë në ndryshimin e kuotave të studentëve të huaj me origjinë bullgare, në shkollat shtetërore.
Sipas të dhënave që disponohen, janë mbi 350 studentë që i përkasin pakicës bullgare nga Shqipëria, të cilët kanë fituar diploma universitare në Bullgari deri tani. Por duket se takimi në fjalë, ka patur interesa edhe më të gjera se arsimimi, mjafton të përmendim faktin se gjatë tij, ministri i Financave nuk ka lënë pa prekur edhe çështjet ekonomike me përfaqësuesit e pakicës bullgare në Tiranë.
Djankov, konkretisht mësohet të ketë theksuar se qeveria bullgare do t’i inkurajojë kompanitë bullgare për të investuar në rajonet e populluara jashtë vendit, ku sipas tij jetojnë ata që i ka cilësuar si “bullgarë etnikë”.
Qeveria bullgare është e mendimit se janë me mijëra të tillë edhe në Shqipëri, të vendosur kryesisht në pjesën juglindore të vendit, në Prespën e Vogël, me përkatësi të besimit të krishterë ortodoks, por edhe myslimanë.
Kjo është një tentativë e re e saj për të krijuar kontakte dhe për t’iu afruar edhe më shumë pakicave të saj, të pranishme në vende të ndryshme të Ballkanit, siç ka bërë edhe me ato në Maqedoni etj.
n.e/NOA