Tiranë, 9 maj 2011, NOA- Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, u bëri thirrje komisionerëve dhe numëruesve të qendrave të numërimit të votave që të tregojnë durim dhe të përmbushin me sukses detyrën e tyre deri në fund.
Më tej ajo theksoi se nga ana e selisë blu po pritet me qetësi përfundimi i procesit për të marrë kështu edhe rezultatet nga KZAZ dhe pas përfundimit të certifikimit nga KQZ.
“Në rrafsh kombëtar koalicioni “Aleanca për Qytetarin” është aleanca kryesore e vendit. Numëruesit dhe komisionerët janë heronjtë e ditës. Gjithë Shqipëria i ka sytë tek ata. Procesi ka të gjitha garancitë të përmbyllet, me sukses, ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji”, deklaroi Topalli.
Ndër të tjera ajo ftoi kryesocialistin Edi Rama, që të deklarohet se do të njohë rezultatin, në çdo bashki dhe komunë, duke e cilësuar këtë se një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Më tej ajo shtoi se qytetarët e shprehën vullnetin e tyre ditën e djeshme me dinjitet dhe brenda standardeve evropiane.
a.y/NOA