Stamboll, 9 maj, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, e cila po mbahet në Stamboll.
Nën kujdesin e veçantë të presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl, kjo konferencë vlerëson dhe përkrah rolin aktiv të OKB-së dhe të shteteve të konsoliduara në përmbushjen e objektivave për prosperitet të qëndrueshëm të vendeve më pak të zhvilluara, gjatë dekadës së fundit. Në fjalën e tij me këtë rast, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se “Shqipëria nuk është pjesë e grupit të vendeve më pak të zhvilluara, por, ka probleme të ngjashme me këtë grup vendesh”.
“Vendi im ka përkrahur dhe përkrah të gjitha veprimet dhe nismat e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkojnë zhvillimin e qëndrueshëm, prosperitetin dhe mbështetjen e përpjekjeve të vendeve më pak të zhvilluara drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Ne jemi të inkurajuar nga progresi i arritur, në disa fusha të zhvillimit, nga këto vende, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve dhe angazhimeve të pranuara ndërkombëtarisht”, tha Topi.
Duke shtuar se Shqipëria mbështet të gjitha nismat e komunitetit ndërkombëtar në drejtim të mobilizimit të burimeve financiare, të cilat të përkthyera në projekte zhvillimi nga secili vend, duhet të integrojnë veprimet kombëtare për të trajtuar varfërinë, ushqimin, krizën globale financiare dhe ndryshimin e klimës në mënyrë të ndërlidhur”. Gjithashtu, duke nënvizuar rolin e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, Topi theksoi se “Organizata e Kombeve të Bashkuara, si depozituese e pothuajse të gjitha çështjeve madhore më të cilat përballet njerëzimi, mbart njëkohësisht edhe detyrimin për të gjetur dhe dhënë zgjidhje në përputhje me pritshmërinë gjithnjë e më të lartë. Shqipëria shpreson në angazhimin më efektiv të OKB-së, në mbështetje të vendeve më pak të zhvilluara”. “Shqipëria e konsideron mjedisin si një çështje vitale dhe është e angazhuar plotësisht të plotësojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare.
Sfida energjetike e Shqipërisë lidhet ngushtësisht me rritjen e ekonomisë, rritjen e popullsisë, ngritjen e standardit të jetesës dhe plotësimin e aspiratës sonë drejt integrimit në familjen evropiane”, tha mes të tjerash Topi.
Ndërsa duke u ndalur në progresin e dukshëm të Shqipërisë në drejtim të plotësimit të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM-ve), Presidenti Topi e vuri theksin tek fakti që “lufta kundër varfërisë, analfabetizmit, mortalitetit të fëmijëve, ndryshimit të klimës dhe përmirësimit të shëndetit të popullsisë mbeten prioritete të shtetit tonë” dhe se Shqipëria po vazhdon të punojë “për konsolidimin e shtetit të së drejtës, nxitjen e transparencës së vendim marrjes dhe rritjen e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve tanë”.
n.e/NOA