Tiranë, 9 maj 2011, NOA Update – Ndërkohë që numërimi vazhdon, kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama rezulton deri më tani me 13759 vota, ndërsa kandidati i djathtë Lulzim Basha me 12267 vota, kurse kandidati i Partisë Komuniste Hysni Milloshi me 60 vota.
Këto shifra zyrtare që vijnë nga qendrat e numërimit në Tiranë dhe publikohen pranë KQZ-së flasin për një përparim të kryebashkiakut aktual të Tiranës, Edi Rama me mbi 1500 vota kundrejt kandidatit demokrat Lulzim Basha që garon nën siglën e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”
Por koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” që udhëhiqet nga Partia Socialiste kryeson jo vetëm në Tiranë, por edhe në bashki të tjera të vendit.
Në Poliçan rikonfirmohet fitues kandidati socialist Adriatik Zotka, me 1446 vota më shumë se rivali i tij, pas përfundimit të numërimit të votave në këtë bashki.
Harta e rezultateve paraprake nxjerr fitues deri më tani kandidatin socialist në Berat, Fadil Nasufin, i cili rikandidon në këtë bashki kundër Ilir Devollit që garon nën siglën e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Nasufi kryeson me 2633 kundrejt Ilir Devollit, që numëron deri më tani 2526 vota.
Edhe në Kuçovë kryeson me 350 vota kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Bardhyl Gjyzeli.
Ndërkohë edhe në Vlorë, Shpëtim Gjika udhëheq me 4717 vota, ndërkohë që kandidati demokrat Ardian Kollozi deri më tani ka marrë 3784 vota. Vijon...
mit/NOA