Singapor, 10 maj, NOA - Një krah i selisë së Interpolit në Singapor, e cila është në ndërtim e sipër, do t’i kushtohet posaçërisht parandalimit dhe mbrojtjes së sportit, apo lojtarëve e tifozëve, nga mashtrimi dhe korrupsioni.
Kjo ka qenë vetëm një nga pikat e marrëveshjes së arritur nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit dhe Interpoli, sipas të cilës, së bashku, ato do të hetojnë të gjitha trukimet e ndeshjeve në futbollin ndërkombëtar.
"Kjo nismë është shumë pozitive dhe e vetmja zgjidhje sot për të luftuar kundër këtyre fenomeneve globale, që kapërcejnë kombet, duke na shtyrë të mendojmë globalisht", tha Jean-Pierre Karaquillo, drejtor i Qendrës Juridike dhe Ekonomike për sportin në FIFA.
Por sipas tij, gjithsesi ky proces do të jetë shumë i komplikuar dhe kërkon mjaft punë.
Nga ana e tij, Chris Eaton, shefi i sigurimit të FIFA-s, ka pohuar se Federata ishte duke hetuar rreth 300 lojëra në të cilat mund të jetë dredhur rezultati.
Dyshimi kryesor bie në ndeshjet miqësore ndërkombëtare, si dhe takime mes klubeve evropiane etj.
n.e/NOA