English

Kodheli: KQZ injoron bllokimin e numërimit të votave në minibashkinë 5

Tiranë, 10 maj 2011, NOA – Në vijim të luftës politike mes dy selive blu e roze, për procesin e numërimit të votave, selia rozë në daljen më të fundit për shtyp akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po sillet si palë e Partisë Demokratike duke injoruar bllokimin e numërimit të votave nga komisionerët e djathtë në njësinë bashkiake nr. 5, një bastion i të majtës në kryeqytet, që pritet të ndryshojë rrënjësisht rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.

Zëdhënësja e selisë rozë për zgjedhjet vendore, Mimi Kodheli tha se komisionerët demokratë po bllokojnë procesin e numërimit të votave në njësinë bashkiake nr 5 në Tiranë.

Ajo argumentoi se ky bllokim nuk bëhet për arsye teknike, por thjesht politike.

Kodheli tha se komisionerët e djathtë po gjejnë arsye nga më të pajustikueshmet për të bllokuar procesin e numërimit të votave në këtë njësi që është bastion i PS-së.

Këtu Kodheli i kujtoi KQZ-së të veprojë me komisionerët e djathtë në njësinë bashkiake nr. 5 ashtu siç veproi me komisionerët e majtë në njësinë bashkiake nr. 8, ku ata u shkarkuan dhe pritet të zëvendësohen, për shkak se bllokuan procesin e numërimit, në këtë bastion të së djathtës.

Ajo i kërkoi rishtas numëruesve të djathtë të zbatojnë ligjin.

Gjithashtu Kodheli i bëri thirrje edhe Policisë së Shtetit të ndërhyjë për qetësimin e situatës në këtë KZAZ-në pranë minibashkisë nr. 5 në Tiranë.

Votat e minibashkisë nr. 5 në Tiranë ku përfshihet zona e Komunës së Parisit dhe ajo e ish-bllokut cilësohet si zona më e rëndësishme në kryeqytet sa i përket rezultatit për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri apo konfirmimin e kryebashkiakut aktual.

mit/NOA

KOMENTE