English

Lufta për Tiranën, vazhdojnë konfrontimet në njësinë 5 dhe 10

Tiranë, 10 maj 2011, NOA – Kur në një numër të madh bashkish të rëndësishme të vendit është ravijëzuar qartë fitorja e të majtës në këto zgjedhje, beteja për bashkinë e Tiranës vazhdon e ethshme, dhe kandidati demokrat Lulzim Basha udhëheq deri tani me 485 vota ndaj kandidatit socialist Edi Rama, që garon për të katërtin mandat në Tiranë.

Pikërisht kjo luftë votash që ndryshon minutë pas minuti për shkak të numërimit ka frymëzuar dukshëm edhe konfrontimet mes palëve kundërshtare që kanë bërë që në KZAZ-në e njësisë nr. 10 në Tiranë e vendosur pranë shkollës “Avni Rustemi”, pikërisht aty ku Basha ka dalë përpara me vota ndaj kandidatit të majtë, të bllokohet procesi i numërimit të votave.

Vetë përfaqësuesit e Partisë Socialiste thonë se nuk lejohen nga policia të hyjnë në mjediset e kësaj KZAZ-je.

Ata akuzojnë për bllokimin e numërimit të votave numëruesit e Partisë Demokratike. Deputetja Ledi Shamku e cila është vendosur për të vëzhguar këtë zonë akuzoi KQZ-në se shkarkimi i komisionerëve socialistë në këtë KZAZ është bërë me telefon.

Ndërkohë demokratët akuzojnë numëruesit socialistë për bllokimin e procesit në KZAZ-në nr. 54, me pretendimin se aty po fiton kandidati demokrat Lulzim Basha.

Konfrontime të forta mes palëve ka edhe në njësinë bashkiake nr. 5, ku socialistët akuzojnë komisionerët e djathtë se po bllokojnë qëllimshëm procesin e numërimit të votave në KZAZ-në e vendosur pranë shkollës “Vasil Shanto”, pasi kjo KZAZ i përket minibashkisë nr. 5, një bastion i të majtës në kryeqytet.

mit/NOA

KOMENTE