Nga Nikollaq Neranxi
Në këto orë të ethshme, ku grafikët e rezultateve ndryshojnë shumë shpejt, përkrahësit, sidomos të dy partive kryesore, e mbajnë frymën te shiritat blu dhe të kuq, me shpresën që kandidati i tyre i preferuar të jetë fitues. Vetëm në një vend të Shqipërisë nuk ka ndodhur ekzaktësisht kështu. Në Himarë, më shumë se te shiritat blu dhe të kuq, sytë e himarjotëve dhe të të gjithë shqiptarëve kanë qenë të drejtuar nga një merak i përbashkët: a do të humbasë Bollano? Po të vini re edhe në edicione lajmesh, titulli ka filluar me fjalët “Humbet Bollano…”. Kaq e rëndësishme ka qenë për opinionin publik kjo humbje e tij, saqë pjesa kryesore që përbënte lajmin e madh dhe sensacional ka qenë ky moment, më pas vinte emri i fituesit. Në Himarë, ashtu siç unë e kam perceptuar atmosferën para, gjatë dhe pas zgjedhore, nuk kishte vijë ndarëse partiake, të gjithë bënin tifo për humbjen e së keqes me emrin Bollano. Në analizën e rreth një jave më parë në gazetën “Panorama”, ishte vetë kandidati, tashmë fitues, Gjergj Goro, ai që pohoi se jo vetëm ai, por edhe dy kandidatët e tjerë kishin një synim: rrëzimin e Bollanos. Mbase mund të jetë një rast unik ku kandidatët kundërshtarë takohen në një pikë të përbashkët. Kjo tregon se sa i padurueshëm ishte bërë Bollano për atë vend, se sa prioritet e kishin qytetarët e Himarës largimin e tij. Gjithnjë jam ndjerë krenar për himarjotët e mi, për mençurinë e tyre, por sot, në mënyrë të veçantë, ndiej një adhurim të madh për ta. Ai popull i urtë dhe i vuajtur priti me qetësi ditën e votimeve për t’i dhënë ndëshkimin e merituar njeriut që i preu në besë, që iu kërkoi votën në emër të një jete më të mirë. Bollano jo vetëm që nuk bëri asgjë për atë vend, por përkundrazi, i vodhi e i plaçkiti ata, duke u mohuar të drejtën mbi pronat e trashëguara brez pas brezi dhe më pas, me pafytyrësinë më të madhe, derdhte lot krokodili se, edhe ai e ka shumë merak atë punë, por që nuk po ia del dot. Himarjotët ndëshkuan me votë një individ unik në llojin e tij, tek i cili bashkoheshin cilësitë më të këqija të një njeriu. Ai nuk ka reshur së treguari para himarjotëve dhe gjithë shqiptarëve se di të jetë edhe antiligjor, edhe antikombëtar, edhe hajdut, edhe mashtrues, edhe i paaftë, edhe hipokrit. Është e pamundur të gjesh një të dytë që të mishërojë të gjitha këto të këqija së bashku. Kur unë disa vite më parë, shfrytëzoja pa pushim foltoren e Parlamentit për t’u treguar himarjotëve dhe gjithë shqiptarëve zullumet e Bollanos, meqenëse isha dhe i vetmi himarjot në atë Parlament, shpesh bëhesha edhe pak pesimist, pasi ndjehesha si një zë i vetmuar. Njerëzit atje nuk e kishin kuptuar mirë se çfarë po ndodhte në kurriz të tyre, sepse makina e gënjeshtrave të Bollanos punonte pa pushim. Por, më pas, të gjithë filluan të ndërgjegjësoheshin për situatën e rëndë. Kjo votë e himarjotëve më dha mua dhe të gjithëve një mësim të madh; nëse lufton për një kauzë të drejtë, asnjëherë nuk duhet ta quash veten vetmitar, sepse njerëzit dëgjojnë, kuptojnë, reflektojnë dhe në fund të ndëshkojnë me votë. Sot, mund ta them me plot gojë, se Himara iu kthye qytetarëve të saj. Ata sot kanë hedhur tej me neveri zinxhirët me të cilët i mbante lidhur kryebashkiaku dështak Bollano. Por, gëzimi im është akoma më i madh se kaq. Duke njohur çdo qytetar të asaj zone, natyrisht nuk mund ta fsheh kënaqësinë e madhe për fitoren e Gjergj Goros, një djali himarjot intelektual, qytetar dhe shumë të mençur, i cili rrjedh nga një familje e nderuar himarjote. Por, për mua personalisht, edhe po të kishte fituar Savo, por edhe Llazari, do të isha njëlloj i kënaqur. Ata janë qytetarë të atij vendi që kanë vuajtur regresin dhe mynxyrat e Bollanos dhe janë po ashtu të etur për ndryshim, si çdo banor i asaj zone. Do të kisha bërë tifo për secilin prej tyre si njerëz dinjitozë, që me qytetari e dinjitet bënë një fushatë të fisme, duke mos u trembur aspak nga tensioni artificial dhe dhuna psikologjike që Bollano me të tijtë ka ushtruar për gjatë gjithë fushatës. Këta kandidatë garonin nën flamurët e partive të tyre, por ndërkohë kishin marrë përsipër edhe një mision kombëtar dhe këtë mision e çuan deri në fund me sukses. Unë i përgëzoj dhe i falënderoj nga zemra edhe për faktin se përkrahësit e tyre u bashkuan me ata të Partisë Socialiste, duke festuar me të njëjtin entuziazëm për fitoren e përbashkët. Dhe gjëja më e bukur është se në këtë festë nuk munguan edhe ata që erdhën me autobusë nga Greqia, të sponsorizuar nga Bollano, duke votuar me zgjuarsi kundër tij. Me këtë rast u rrëzua edhe miti i rremë që unë personalisht nuk e kam besuar asnjëherë, sepse Bollano është i preferuari i grekëve dhe i emigrantëve atje. Tani që gjithçka mbaroi me sukses, sytë e ne të gjithëve do të jenë nga Gjergji, pasi kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës e presin punë të mëdha. Kanë qenë jo të pakët ata që gjatë këtyre viteve më pyesnin se çfarë kam unë me Bollanon që e luftoj aq shumë, sepse u dukej si një sulm personal. Ua kam thënë atyre, por po jua them edhe ju, se unë ngre zërin fort, sa herë mundem, për çdo njeri që tradhton votën e qytetarëve të tij, për secilin që guxon të bëjë hipokritin dhe nuk bën asnjë punë, për këdo që vjedh dhe mashtron, për çdo të paaftë dhe individ antikombëtar. Goro, gjatë punës së tij, do të jetë gjithashtu nën vëzhgimin tonë për të justifikuar votën që iu besua dhe unë personalisht nuk do të ngurroj ta kritikoj nëse ai nuk do të mbajë premtimet e dhëna. Si një njeri që punën e ka pasion të madh dhe i bindur se ndryshimi vjen vetëm nëpërmjet punës, unë mbështes punëtorët dhe të ndershmit. Shpresoj që Goro të mos na zhgënjejë. Së fundi, më lejoni ta mbyll këtë shkrim me një frazë me humor që lexova në Facebbok. Një djalë i ri shkruante: “Po tani që humbi Bollano kë do të shajmë ne në stadiume?”. Unë do t’i përgjigjesha: shani kë të doni nëse e ka bërë borxh sharjen, sepse është e rëndësishme që të gjithë të reagojmë ndaj së keqes, ashtu siç bënë himarjotët e mençur.
Gazeta Panorama