English

Rama: Berisha po orkestron skenarin për tjetërsimin e votës në Tiranë

Tiranë, 10 maj 2011, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama, njëherësh kandidati socialist pë Tiranën akuzoi Kryetarin e Partisë Demokratike, njëherësh kryeministrin Sali Berisha se po orkestron skenarin për ndryshimin e rezultatit të votave në Tiranë. Kryetari i Partisë Socialiste akuzoi se pikërisht prej faktit se PS ka fituar në Tiranë, janë marrë peng padrejtësisht e në mënyrë të shëmtuar kutitë e votimit në disa njësi të numërimit të votave në kryeqytet.

“Kjo tregon që Saliu e di më mirë nga të gjithë se çka në ato kuti, pasi po të dinte se aty është fitorja e tij nuk do të merrte peng qendrat, por do të buzëqeshte si qingj, siç bën kur i dalin mirë rezultatet”, theksoi Rama pak minuta më parë nga selia rozë.

Ai theksoi se fitorja në Tiranë është e Partisë Socialiste dhe e Aleancës për të Ardhmen.

Këtu kryebashkiaku aktual i Tiranës u shpreh se “Të jeni të sigurtë që duke na i bërë të vështirë këtë proces, na i bëjnë më të bukur fitoren”.

Kryesocialisti Rama siguroi qytetarët se çdo votë që është në kutitë e Tiranës do të mbrohet dhe do të lexohet ashtu si e ka dhënë populli.

Sipas tij kjo shfaqje e shëmtuar në Tiranë u kujton shqiptarëve një film të parë në zgjedhjet e majit të vitit 1996, që po luhet në kryeqytetin e vendit, por sikundër tha ai, po luhet pa fuqi për të transformuar verdiktin e popullit.

Kryetari i opozitës i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të reagojnë në mënyrë demokratike për të mbrojtur votën e tyre në Tiranë, në rast se Sali Berisha nuk do të tërhiqet nga orkestrimi i vjedhjes së votës.

Në këtë dalje publike për mediat kryesocialisti Rama prezantoi edhe kryebashkiakun e ri të Kavajës, Elvis Roshin, i cili fitoi kundër kandidatit të djathtë, në një qytet si Kavaja, që prej 20 vitesh demokraci është bastion i Partisë Demokratike.

Sipas Ramës përtej fitores së të majtës në shumicën e bashkive më të rëndësishme në vend, fitorja në Kavajë është një mesazh i qartë që populli i dha qeverisjes së Sali Berishës.

mit/NOA

KOMENTE