English

Shpejt e shpejt mbi zgjedhjet

Nga Mentor Nazarko

Lajmet që vijnë nga procesi i numërimit të votave lënë të kuptosh dy prirje, në fakt pasoja të njëra-tjetrës. Po kuptohet gjithnjë e më shumë se opozita e grupuar në koalicionin “Aleanca për të ardhmen” po fiton thellë. Me përjashtim të Shkodrës, në të gjitha qytetet e mëdha që janë në qendër apo në Jug të vendit, PD-ja duket në humbje. Sikur të mos ishte Viktor Tusha, që vjen prej LSI-së, në Lezhë, atëherë Shkodra do të konsiderohej si një qytet i rrethuar nga e majta. PD-ja po humb bastione të tilla si Kavaja, zona zgjedhore për disa mandate rresht e kryeministrit Sali Berisha Burrelin, Rubikun, Krumën, Rrëshenin, Laçin etj. Si pasojë e kësaj prirjeje, që do të shënonte një humbje katastrofike të së djathtës, duket krejt e qartë se partia në pushtet ka ndërmarrë një proces bllokimi taktik të numërimit, për të cilin nuk është e vështirë të kuptohet se përse bëhet. Kjo periudhë bllokimi, e motivuar me gjoja lodhjen, shoqërohet me propagandën jetëshkurtër, e cila përgënjeshtrohet brenda pak orësh. Sipas argumenteve të saj, Aleanca për Qytetarin do të rezultojë fituese në nivel vendi, një e dhënë që do të ngushëllonte partinë në pushtet, por të dhënat zyrtare me gjithë vonesën taktike, e përgënjeshtrojnë edhe këtë ngushëllim.

Kjo vonesë nga disa vëzhgues kompetentë po lidhet me faktin se delegacionet ndërkombëtare të mbikëqyrjes së këtyre zgjedhjeve, të kryesuara nga nivele të larta të Parlamentit Europian dhe OSBE-së, do të jenë deri sot në mëngjes, kur dhe do të japin përfundimet e para të misionit të tyre. Nëse është kështu, kjo manovër dritëshkurtër nuk mban parasysh faktin se gjithsesi, ndërkombëtarët kanë një prani mjaft të madhe në vend edhe me ikjen e delegacioneve ad hoc, aq sa është e pamundur që asaj t’i shpëtojnë operacione të tilla si ato të deformimit të numërimit nëpërmjet presioneve, zhvleftësimit të fletëve të votimit etj.

Në këto kushte, me gjithë këto vonesa që shkelin nenin 122, paragrafi i parë i Kodit Zgjedhor, sipas të cilit rezultati do të duhej të publikohej prej KZAZ-së që në orën 17 të së hënës, një përfundim del i qartë. Ka ardhur koha që Shqipëria përfundimisht të miratojë një model numërimi elektronik, i cili minimizon edhe më tej “kontributin” njerëzor. Siç po duket, mburrja e qeverisë se ka miratuar numërimin më transparent në botë, atë me skaner, nuk ka asnjë vlerë. Hapësira e manovrave taktike njerëzore me këtë lloj numërimi mbeten akoma të mëdha, duke na rreshtuar përsëri në vendin europian anëtar të NATO-s, me problemet më serioze në zgjedhje. Përgjegjësia për këto probleme i mbetet qeverisë, prandaj ajo do të duhet të mendojë: a ia vlen të vonojë akoma shpalljen e një rezultati dhe të merret me riparimin e pasojave të këtyre zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare, apo duhet të insistojë kokëfortësisht në këtë sjellje destruktive që i krijon probleme Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE? Si afirmim të teknologjizimit të procesit, që zvogëlon rolin njerëzor, por dhe të zvogëlojë rolin e partive në proces duke futur në administrimin e zgjedhjeve individë apolitikë në të gjitha nivelet e procesit, të ashpërsojë dënimet ligjore për manipuluesit etj.

Përfundimi i dytë, megjithëse i arritur pa mbërritur rezultatet përfundimtare është se po forcohet roli i një partie të re si PDIU-ja. Kjo parti, jo vetëm që ka marrë shumë vota në zona tipike të komunitetit çam, duke ndalur madje rënien e së djathtës, apo duke siguruar marrjen e disa bashkive prej të majtës siç është Rrogozhina, Cërriku, por edhe po afirmohet në zona të Veriut si Tropoja apo të tjera. Afirmimi i kësaj partie, më saktë i mesazhit të saj nacionalist, është pjesë e një prirje tjetër të përgjithshme mjaft inkurajuese: shfaqja më e fortë e dimensionit kombëtarist në këto zgjedhje, që u duk me fitoren e PS-së në Himarë dhe në Sarandë, e pse jo me ri konfirmimin e PS-së në Korçë. Në këto qytete, po zhvillohej një operacion helenizimi i vrullshëm, i cili tani logjikisht duhet të ndalet. Me shumë gjasa në afirmimin e këtij dimensioni patriotik, duhet të kenë rol të rinjtë, ata që kanë votuar për herë të parë, të cilët kanë dashur t’i japin kuptim origjinal jetës së vet në këtë vend. Në këtë votim kundër Bollanos apo Gjokës duhet të ketë ndikuar dhe arroganca e madhe e Bollanos qoftë ndaj vlerave kombëtare apo ligjeve të vendit, arroganca e konsullit grek të Korçës, apo dhe tolerimi i shkatërrimit urban që nisën rëndshëm dhe masivisht socialistët në Sarandë.

Një moment tjetër që mund të nënvizohet në këtë moment të procesit, është dhe fillimi i një diskutimi mbi origjinën e fitores së PS-së, dhe opozitës në këto zgjedhje. A ishte frymë e re, apo thjesht pakënaqësi popullore ndaj qeverisjes? Në fakt mund të jenë të vërteta të dy këto elementë. Megjithatë, në favor të tezës se ishte frymë besimi tek PS-ja do të mund të kontribuonte rezultati në Tiranë: a do të marrë Rama më shumë vota këtë herë sesa në mandatin e tij të tretë apo jo? Po ashtu në favor të kësaj teze kontribuon dhe rezultati fitimtar i atyre kandidatëve të PS-së, që kanë kandiduar për herë të dytë, të tretë, apo të katërt si ai i Vlorës, Durrësit, Beratit, Fierit etj apo fitorja e kandidatëve të majtë në Kavajë, Laç, Krumë etj. Nëse ata fitojnë, nëse Durrësi shndërrohet përfundimisht në bastion të së majtës, ndërsa me përjashtim të Lezhës, apo ndonjë bashkie të vockël, kandidatët e PD-së humbin atëherë, mund të thuhet se PS-ja ka ditur të qeverisë më mirë në ato qytete, dhe se ka ditur të krijojë një frymë besimi në rrafsh kombëtar. Por le të presim rezultatet e Tiranës për të arritur me bindje në këtë përfundim.

Dhe diçka për pakënaqësinë popullore ndaj qeverisjes. Mund të jenë të vërteta shumë nga akuzat e frontit qeveritar për Ramën. Por, nëse do t’i pranonim ato akuza, atëherë do të duhet të pranonim se pakënaqësia ndaj Berishës, ka arritur në nivele të larta, që kanë prodhuar rezultate mjaft dëshpëruese për të, si këto të majit 2011. Shikoni shembullin emblematik, Tropojën, ku PDIU-ja arrin të afirmohet si parti e tretë; shikoni Kavajën që i kthen kurrizin birit të saj të adoptuar nga Tropoja; për të mos thënë shikoni Tiranën, Durrësin, qytete ku gjallon borgjezia e madhe shqiptare, qytete të cilat po refuzojnë për një kohë të gjatë të votojnë Partinë Demokratike!

Gazeta Panorama

KOMENTE