English

Topi: Zgjedhjet e 8 majit brenda standardeve

Stamboll, 10 maj 2011, NOA –Presidenti i Republikës, Bamir Topi vlerësoi procesin zgjedhor të 8 majit dhe standardet e tyre duke theksuar se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Evropian. Këtë vlerësim presidenti Topi e bëri gjatë takimit miqësor me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, gjatë qëndrimit në Stamboll në krye të delegacionit shqiptar, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara.

Presidenti Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit në vend, të realizimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe të projekteve të reja të rëndësishme, sidomos pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Zyra e shtypit e presidencës shqiptare bën me dije se në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta u vlerësua fillimisht niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe miqësia tradicionale e historike mes popujve tanë.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe homologu turk shprehën besimin se do të zhvillohen e thellohen më tej, në dobi të interesave e angazhimeve të përbashkëta, në fusha të shumta e të rëndësishme të zhvillimit të vendeve tona.

Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen e pakursyer të Turqisë e popullit mik të shqiptarëve në momente me rëndësi jetike për vendin tonë.

Ai shprehu mirënjohjen për ndihmesën e madhe në të gjitha fushat, por veçanërisht në atë të mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të vendit tonë si anëtar i NATO-s, në misionet paqeruajtëse në Afganistan e Irak, ku forcat ushtarake të të dyja vendeve kanë dhënë kontributin e tyre krah për krah në dobi të forcimit të paqes në botë.

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi në konsolidimin e shtetit shqiptar, por dhe në skenën politike shqiptare.

Gyl e siguroi Topin se shteti turk do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në hapat e saj të rëndësishëm të përforcimit të shtetit demokatik.

Gjithashtu, Presidenti turk theksoi se intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh dhe kalimi me sukses i të gjitha etapave për të plotësuar standardet, do të ndikojnë dukshëm në realizimin e qëllimit të përbashkët të integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Gjatë bisedës, presidenti Topi dhe presidenti Gyl diskutuan edhe për rëndësinë që mbart mbajtja e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, pasi nxit liderët e vendeve më të fuqishme të demonstrojnë më tepër mbështetje e përkrahje për vendet që kanë nevojë për progres, për të patur një zhvillim global ekonomik, mirëqenie e stabilitet.

mit/NOA

KOMENTE