English

Fajon, Svoboda, Lunaçek: Të hiqen vizat për Kosovën

Prishtinë, 11 maj, NOA - Eurodeputetët Ulrike Lunacek, Tanja Fajon dhe Hannes Svoboda i kanë bërë thirrje BE-së që të fillojë procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën. Në një letër dërguar Presidencës hungareze të BE, tre eurodeputetët kërkojnë që Këshilli i Ministrave ta trajtojë këtë çështje në takimin e 12 majit.

Tre eurodeputetët i kanë bërë thirrje Ministrit të Jashtëm hungarez që të njoftojë vendet anëtare të BE-së para takimit të Këshillit të Ministrave.

“Duke pasur parasysh këtë dhe përkushtimin e fuqishëm të Presidencës hungareze ndaj integrimeve europiane për Ballkanin Perëndimor, ne ju kërkojmë si President i Këshillit t’u bëni thirrje vendeve anëtare që të mos e vonojnë më gjatë procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe të hapin dialogun e vizave sa më parë që të jetë e mundur. Ne do t’ju jemi falënderues nëse përmbajtjen e kësaj letre do t’ua paraqitni të gjitha shteteve anëtare, para fillimit të mbledhjes së Këshillit për Drejtësi dhe Çështje të brendshme që do të mbahet më 12 maj”, thuhet në letrën e eurodeputetëve, e cila është publikuar sot nga gazeta Ekspres në Prishtinë.

Luancek, Fajon dhe Svoboda kanë kërkuar, po ashtu, që Komisioni Europian menjëherë të përgatisë kriteret që Kosova duhet t’i përmbushë për të përfituar udhëtimin e lirë në shtete anëtare të BE’së.

a.k/NOA

KOMENTE