E mërkurë, 11 maj 2011, NOA- Raportuesi special i Parlamentit Evropian (PE) për Maqedoninë, Riçard Hovit deklaroi se zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni janë me rëndësi kyçe për procesin euro-integrues të këtij vendi.
Ai tërhoqi vërejtjen lidhur me këtë proces, edhe pse siç u shpreh se Maqedonia viteve të fundit ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
"Unë jam shumë i vetëdijësuar për sfidat që i kemi përpara, sidomos në fushën për pavarësimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, reformën në administratën publike, dhe së fundi edhe për lirinë e mediave. Gjatë mandatit tim jam i vendosur që të bëjë gjithçka që mund ti ndihmojë këtij vendi që të ketë sukses", theksoi Hovit, i cili vjen nga radhët e Partisë Laburiste britanike.
Lidhur me zgjedhjet e 5 qershorit, Hovit shtoi se detyrim për Qeverinë dhe partitë politike është që të sigurojnë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Raportuesi i PE-së ka komentuar edhe kontestin e pazgjidhur të emrit me Greqinë. "Unë shpresoj se do të kontriboj për ndërtimin e mirëbesimit, solidaritetit dhe përgjegjësisë, me qëllim që të mundësojmë që të ecim përpara në këtë proces", theksoi euro-deputeti Hovit, duke shtuar se do ti rekomandoj Këshillit Evropian rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë.
(INA)/NOA