Tiranë, 11 maj 2011, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi rishtas se Tirana është e fituar, duke garantuar se po ndjekin qetësisht orvatjet e mazhorancës për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Tiranës. Shefi i opozitës dhe kandidati për mandatin e katërt në bashkinë e Tiranës theksoi se “Diferenca aktuale e votave në kryeqytet është shumë më e madhe se ajo që nxjerr KQZ-ja e Saliut”.
Në daljen më të fundit për mediat, kryesocialisti Rama i siguroi të gjithë se do të respektohet çdo votë e kujtdo qoftë pasi tek vota qëndron themeli i bashkëjetësës, një themel që sikundër tha Rama, u tjetërsua me vjedhjen e votës në zgjedhjet parlamentare, 2 vjet më parë.
Rama iu lut të gjithë qytetarëve të Tiranës ta ndjekin këtë proces të numërimit dhe pavarësisht vonesave, ai garantoi se situatën është duke u ndjekur në të gjitha zonat, si ditën edhe natën, si brenda ashtu edhe jashtë KZAZ-ve, ku vihen re orvajtjet për manipulimin e procesit nga PD në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, që blunë e veshjes sikundër tha Rama.
Rama theksoi këtu se Policia e Shtetit ka harruar se bluja e uniformës së tyre nuk është bluja e flamurit të PD-së.
Shefi i selisë rozë shprehu nderimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që nga Tropoja në Konispol besuan tek “Aleanca për të Ardhmen” duke i garantuar të gjithë shqiptarët se ata do të kenë respektin dhe mirënjohjen e plotë, pasi siç tha Rama, “ne nuk i ndajmë qytetarët në blu e në rozë”.
Kryesocialisti prezantoi në këtë konferencë për shtyp fituesin e garës në Shëngjin, ku pas përmbylljes së procesit u shpall kryetar i ri i bashkisë kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Salvador Kaçaj, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare.
“Dëshiroj të komunikoj përpara jush në krah të ish-kapitetenit të kombëtares shqiptare, i zgjedhuri i Shëngjinit që do ta kthejë Shëngjinin, në të vetmen rrugë të zhvillimit social, ashtu siç vetëm “Aleanca për të Ardhmen” u garanton të gjithë shqiptarëve në tërë territorin e Shqipërisë”, tha Rama.
Ai vlerësoi se Salvador Kaçaj vjen në fushën e administrimit vendor, si një kampion i vërtetë.
Ndërsa kryebashkiaku fitues i Shëngjinit Salvador Kaçaj falenderoi banorët e Shëngjinit që e votëbesuan kundër të keqes në Shëngjin.
“U jap fjalën të gjithë shëngjinasve se do ta shndërrojmë dhe do t’i japim një fytyrë të re, Shëngjinit, të cilët i kanë treguar rrugën kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe të gjithë përfaqësuesve demokratë që vijnë në Shëngjin vetëm për të vjedhur”, deklaroi Kaçaj.
mit/NOA