Korçë, 11 maj 2011, NOA – Kryebashkiaku i Korçës Niko Peleshi u rikonfirmua me një diferencë të madhe votash pas mesditës së sotme për të tretin mandat në këtë bashki, me plot 16369 vota, kundrejt 14176 votave që mori kandidati demokrat Andrea Mano.
Peleshi falenderoi qytetarët e Korçës për pjesëmarrjen masive në votimet e 8 majit.
“Falenderoj qytetarët e Korçës për pjesëmarrjen masive në votim, që tregon se qytetarët e kanë kuptuar forcën e votës së tyre dhe se e ardhmja projektohet përmes forcës së votës”, theksoi kryebashkiaku i Korçës.
Ai i garantoi qytetarët e Korçës se do t’i bindë me punën e tij dhe projektet e shumta për zhvillimin e qytetit.
Në Korçë u numëruan deri sot në mesditë 62 kuti për kryetarin e bashkisë së Korçës.
mit/NOA