English

Terrorizmi islamik në internet

SHBA, 11 maj, NOA - Al Qaeda në Gadishullin e Arabisë ka përdorur edhe forumet xhihadiste në internet për të komunikuar drejtpërdrejt me myslimanët në Perëndim, duke përdorur edhe porosi të shkruara, për të ofruar instruksione të detajuara se si duhet përçuar xhihadi.

Që nga momenti kur u konfirmua zyrtarisht vdekja e Bin Ladenit, forumet në internet i dominoi konfuzioni. Aty kishte pjesëmarrës të ndarë mes atyre që përqafonin lajmin dhe atyre që e mohonin atë. Anëtarët më stoikë kërkonin të siguroheshin që përkrahësit nuk e humbën guximin. “Nuk po luftonim për Osamën”, ka shkruar Salmakh në forumin e Ansarit. “Ne po luftonim për Allahun. Xhihadi do të vazhdojë edhe nëse Amir (lideri) martirizohet!!” Një tjetër përdorues shtoi: “Ata që luftuan për sheikun Osama, e dinë që ai tashmë ka vdekur, por ata që luftojnë për Allahun, e dinë shumë mirë që Allahu është gjallë dhe nuk ka për të vdekur kurrë”.

Teksa anëtarët e forumit prisnin që Al Qaeda të bënte deklaratë, një përdorues shkroi: “Ju lutem, bëni durim dhe lërini mënjanë spekulimet, derisa të vijë një konfirmim zyrtar nga vëllezërit tanë.”

Deri vonë konfirmimi i vetëm për vdekjen e Bin Ladenit është përcjellë vetëm nga mediet perëndimore – një burim i papranueshëm për xhihadistët.

Lajme të tjera erdhën nga një “jobesimtar si burim i pakonfirmuar” dhe një përdorues ka shkruar se nuk mund “ta besonte kurrë asnjë fjalë që dilte nga gojët e tyre gënjeshtare dhe mashtruese”. Një tjetër shtoi: “E kush e vret mendjen se çfarë thonë qafirët (jobesimtarët)?”

Në të vërtetë, disa forume të xhihadit vazhduan të këmbëngulnin se Bin Laden ishte ende gjallë. Deri të premten e kaluar, forumi Al Qimmah (që është i lidhur me lëvizjen Al Shabaab në Somali) ishte i mbushur me pretendime se Bin Laden ishte ende gjallë.

Ithtarët e Bin Ladenit kanë premtuar se do të kryejnë sulme të reja. Njëri prej tyre lajmëroi se “një milion Bin Ladenë të tjerë kanë lindur! Dhe flamuri i xhihadit do të lartësohet. Inshallah!”

Deklaratat kundërthënëse nga zyrtarë amerikanë, lidhur me minutat e fundit të Bin Ladenit, veçse e shtuan dyshimin mes përdoruesve të forumit.

Sipas deklaratës fillestare të presidentit Barack Obama, thuhej se Bin Laden ishte i armatosur. Sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, Bin Laden nuk ishte i armatosur. Administrata gjithashtu dha edhe sugjerime të tjera që Bin Laden ishte fshehur pas gruas së tij. Komentuesi Ummu Amarah, duke shkruar në forumin popullor Ansar, shtoi “Kjo është çmenduri dhe një turbullirë e vërtetë ... mbase ai duhet të ndalojë së shkruari dhe së foluri për këtë lajm, derisa vëllezërit ta konfirmojnë, nëse lajmi është i vërtetë apo jo.”

Në kohën kur anëtarët e forumit po spekulonin, një përdorues që e quante veten Mujahid, shprehu zhgënjim për mungesën e informacionit: “Akoma nuk ka asnjë lajm zyrtar? Është krejt e pazakontë, historia që na thonë amerikanët nuk ka kuptim dhe asnjë fjalë zyrtare nuk ka dalë nga AQ”. Administratorët nga Ansar përsëritën këto deklarime, duke shprehur qartë që “më shumë se 48 orë kishin kaluar dhe ende asnjë deklaratë zyrtare nga media Al-Fajr (vija zyrtare e lajmeve të Al Qaedes) lidhur me martirizimin e sheikut Osama bin Laden.

Al Qaeda më në fund konfirmoi vdekjen e Bin Ladenit ditën e premte, më 6 maj, në forumet e Ansarit dhe Shumukh.

Fakti që “amerikanët kanë vrarë Osamën nuk është as i turpshëm as i fëlliqur,” thuhet në deklaratë, duke qenë se “burrat dhe heronjtë vriten vetëm në fushën e betejës dhe çdo njeri ka një kohë të caktuar”. Më tutje u theksua se “sheiku Osama nuk krijoi ndonjë organizatë që do të vdiste bashkë me të as se do të merrte fund bashkë me të”.

Vonesa midis vdekjes së tij dhe deklaratës ishte e pazakontë. Në mënyrë tipike, Al Qaeda u tregua e shpejtë për të publikuar vdekjen e një lideri dhe e përshëndeti atë si një martir. Në vitin 2006 Ayman al-Zawahiri, atëherë i dyti në komandën e Al Qaedes, praktikisht kanonizoi Abu Musab al-Zarqawin, liderin e Al Qaedes në Irak, në forumet e Hesbah dhe Ikhlaas pasi u vra nga amerikanët në Irak.

Edhe pse forumi i anëtarëve të xhihadit është cilësuar si mirëdashës, të dhënat në këto vitet e fundit kanë sugjeruar që janë vetëm kolltukë xhihadistësh.

Le të marrim shembullin e Humam Khalil al-Balaewi, i cili deklaroi sulmin e tmerrshëm kundër zyrtarëve të inteligjencës amerikane në vitin 1983, duke bombarduar ambasadën amerikanë në Bejrut dhe Balazi. Kësisoj ai u bë një hero i përdoruesve të forumit, sepse ai ishte njëri prej tyre. Edhe pse Balawi u shoqërua për një kohë të gjatë me ekstremizmin, ai ishte gjithashtu edhe një pjesëmarrës entuziast i Al Qaedes – në forumet e ndërlidhura.

Al Qaeda në Gadishullin e Arabisë ka përdorur edhe forumet xhihadiste në internet për të komunikuar drejtpërdrejt me myslimanët në Perëndim, duke përdorur edhe porosi të shkruara, për të ofruar instruksione të detajuara se si duhet përçuar xhihadi. Një anëtar i Al Qaedes, Anwar al-Awlaki, urdhëroi majorin Nidal Hasan për të kryer një sulm terrorist në Fort Hood në vitin 2009.

“Foreign Affairs”

KOMENTE