English

Topi: Partitë politike të përmbyllin pa vonesë administrimin e votave

Tiranë, 11 maj 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi bëri thirrje se “Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit”.

Sakaq presidenti u kërkon publikisht partive politike dhe përfaqësuesve të tyre zgjedhorë, si dhe institucioneve ligjore të përfshira në proces, që të përmbyllin procesin e administrimit të votave me transparencë, shpejtësi dhe përgjegjësi. Në vlerësimin e tij për zgjedhjet e 8 Majit, presidenti theksoi se këto zgjedhje shënuan një progres në standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Por, referuar faktit se presidenti Topi gjatë ditëve të para postzgjedhore nuk ka qenë në Shqipëri, këtë vlerësim të Tij, e bëri publik Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Sipas saj presidenti Topi duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit dhe ecurisë së procesit të numërimit të votave deklaroi se “Me pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare, zgjedhësit shqiptarë dëshmuan maturi dhe ndjeshmëri për t’u dhënë të gjithë besimin dhe integritetin e nevojshëm procesit zgjedhor”.

“8 Maji ishte një ditë normale votimi, kur qytetarët e thanë fjalën e tyre, shprehën vullnetin e tyre, bënë zgjedhjet më të mira për ta”, theksoi Kreu i Shtetit.

Sipas tij tashmë përgjegjësia i mbetet politikës për administrimin bipartiak të zgjedhjeve, dhe për të dëshmuar vullnet të qartë politik për të respektuar votën qytetare.

mit/NOA

KOMENTE