E mërkurë, 11 maj 2011, NOA – E ashtuquajtura saga e zgjedhjeve vendore të 8 majit nuk ka përfunduar as në ditën e tretë të numërimit të votave duke kaluar prej mëse 24 orësh edhe limitet e vendosura nga KQZ për nxjerrjen e kryebashkiakut të Tiranës.
Ndërkohë që në qytetin e Korçës rikonfirmohet si kryebashkiak Niko Peleshi i Partisë Socialiste, i cili do të qeverisë qytetin edhe për një mandat tjetër katërvjeçar, në Tiranë dhe në Durrës gara është tejet e fortë, dhe përpjekja për të fituar mes të dyja palëve duket e ethshme.
Numërimi i votave në të dy këto qytete po ecën tejet ngadalë edhe për faktin se të dyja forcat kryesore të politikës kërkojnë me ngulm fitoren në këto dy qytete, të cilat duhet thënë se janë bastione të së majtës prej disa mandatesh.
Deri më tani në Tiranë procesi i numërimit të votave për kryetar bashkie është përmbyllur në njësitë 1, 4 dhe 10 në kryeqytet, ndërkohë që janë duke u numëruar edhe njësitë 2, 3, 5, 6, 7, 8, 9 dhe 11.
Sipas të dhënave të KQZ-së kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës dhe lideri i të majtës Edi Rama udhëheq garën në Tiranë me 86672 vota kundrejt rivalit të djathtë Lulzim Basha, i cili numëron deri tani 86224 vota.
Ndërkohë në njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë duket që ky proces numërimi po ecën tejet ngadalë dhe sot janë numëruar vetëm 2 kuti, por në këtë zonë bastion të së majtës Edi Rama kryeson ndaj Lulzim Bashës me afro 2500 vota.
Ndërsa në njësinë bashkiake nr 8 nga 30 qendra votimi janë numëruar vetëm 17.
Por në ditën e tretë të procesit të numërimit, gara elektorale e 8 majit ka si epiqendër Tiranën dhe Durrësin.
Pritet që sot në Tiranë të mbyllet procesi i numërimit të votave për kryebashkiakun dhe të nisë numërimi për këshillin bashkiak e kryetarët e minibashkive.
Deri më tani nga 485 kutitë e votimit në kryeqytet janë numëruar 324 kuti.
mit/NOA