English

Bastioni që duhet harruar

Nga Elsa Ballauri

Fjala “bastion” vjen nga italishtja dhe në kuptimin e drejtpërdrejtë, është kështjellë, fortesë, një vend i mbyllur dhe i fortifikuar. Në këto 4 ditë pas zgjedhjeve është një nga fjalët më të përsëritura, sidomos nga gazetarët që informojnë nëpër media, por edhe nga qytetarët. Mund të ketë qenë një rastësi që kjo fjalë mori një përdorim kaq të shpeshtë; ndofta e thënë apo e përkthyer nga ndonjë bisedë të huajsh, apo e kujtuar papritur nga ndonjë gazetar kureshtar dhe pak më shumë i lexuar se shokët, gjithsesi, përhapja e fjalës nuk është thjesht një rastësi e zakonshme, ajo është përshtatur shumë mirë me psikologjinë e fortifikimit, që ka arritur këto ditë kulmin e saj, pasi është ndërtuar dhe sofistikuar gjatë fushatës zgjedhore. Për fat të mirë patëm një ditë zgjedhjesh normale (për standardin shqiptar), e cila, pa dyshim, është një moment kthese pozitive në modelin e ri të proceseve zgjedhore të ardhshme. Megjithëse numërimi vazhdon dhe problemet që kanë dalë në të nuk janë të pakta, e kam parë me shumë optimizëm përpjekjen që po bëjnë qytetarët, komisionerët, numëruesit dhe politikanët për të përmbajtur veten dhe për ta ndihmuar procesin të ecë normalisht. Them se vërtet shumë prej tyre “përmbahen”, sepse akoma e kemi shumë të vështirë të dalim nga natyra jonë sulmuese, konfliktuale, inatçore, shpesh armiqësore që na i ka transformuar negativisht jo vetëm shumë procese zgjedhore, por edhe ka provokuar sulme, ankthe, madje edhe vdekje… Në këtë atmosferë, e cila megjithëse e qetë, mbart një kulturë traume të paevitueshme, fenomeni më negativ për të cilin duhet të bëhemi koshientë për ta riparuar, është armiqësia. Kjo qëndron në disa nivele: ajo midis politikanëve, ajo midis qytetarëve (kryesisht simpatizantë) dhe një tjetër ndarje shumë e fortë gjatë këtyre javëve është ajo e mediave. Armiqësia në politikë është gjëja më e njohur dhe më tipike në historinë politike shqiptare. Nuk ka pasur ndonjë periudhë ku palët politike të kenë bashkëpunuar me qetësi dhe pa inate ekstreme. Politikanët kanë përfituar në një terren injorant popullor të jenë elita drejtuese në të gjitha fushat. Mjafton të marrësh një post, me gjithë të kaluarën e varfër në edukim, në kulturë, në investimin shpirtëror, bëhesh shumë kollaj një drejtues “i merituar”, intelektual, njeri që i di të gjitha dhe që mund të bësh ç’të duash me të gjitha. Këtë pozicion të këtyre njerëzve të politikës, për fat të keq, e kanë pranuar me sy mbyllur njerëzit, qytetarët, ata që duhet të jenë të parët që bëjnë vlerësimin dhe verifikojnë rastet. Por, qytetarët nuk kanë zë në këtë vend, jo vetëm se nuk u lihet radha nga prezenca e keqimplementuar e politikës, por edhe se vetë nuk pretendojnë të jenë të tillë: iu mjafton një njeri mbi krye që ta adhurojnë si Perëndi. Dhe, për sa kohë do të kemi një raport të tillë të çrregullt, edhe ajo të cilën përmenda më parë, fjala bastion do të zërë vend të mirë përdorimi. Investimi për të zënë pozicione luftarake ishte shumë i madh gjatë fushatës, gjithashtu për të transmetuar dhe gjeneruar predha dhe plumba. Në ndryshim nga herët e tjera, një qëndresë e tillë ishte më tipike nga ana e Partisë Socialiste, sesa nga pala e demokratëve. Këta të fundit bënë mjaft përpjekje për të mos përsëritur shumë gabime të mëparshme dhe mendoj se kjo përpjekje është vlerësuar nga shumë qytetarë. Megjithatë, e gjithë fushata ishte një lodhje e pamerituar që ndikoi mbi shtetasit instinktivisht, duke imponuar mbi ta të njëjtin qëndrim ekstrem armiqësor. Fjala bastion e justifikoi shumë më mirë fjalorin e fortë dhe të egër të politikanëve. Të luash me veprime ekstreme (të cilat s’kanë nevojë për ndonjë politike elitare dhe për sens politikanësh të talentuar), është shumë më e thjeshtë se të bësh të ndryshmen nga kjo. Pse politikanët shqiptarë, sidomos këta që ruajnë me vendosmëri këtë lloj shkolle të egërsisë dhe ekstremizmit, nuk përpiqen të ndërrojnë rrymë? Mua më duket se kjo vjen ose se ata nuk janë në gjendje të luajnë sipas modelit të kësaj shkolle: sepse këtë shkollë s’e kanë mësuar dot gjëkundi, dhe se nuk kanë atë forcë dhe përgatitje intelektuale t’u përshtaten, ose ata e dinë mirë se si duhet vepruar, por kjo nuk çon dot drejt suksesit, ata mendojnë se nuk kuptohen dot nga njerëzit, nëse sillen si fisnikë, mendojnë se niveli i shqiptarëve është shumë i ulët – një turmë që gënjehet me fjalë të fryra, një turmë që duhet mbajtur në këtë nivel përfaqësimi, se ndryshe nuk meriton, një turmë e pagdhendur njerëzish të varfër pa kërkesa, primitivësh (jo rrallë dëgjohen fraza se këtij populli vetëm Enveri ia kishte gjetur anën)… Natyrisht që nuk mendoj se shqiptarët janë të gjithë kështu, por vetëm sa tentova t’i bëj pyetje vetes, se përse ka kaq shumë transmetim urrejtje dhe intolerance nga ana e politikaneve tek ne dhe pse ne i lëmë bastionet të ngrihen para syve tanë…?

KOMENTE