English

Berisha: Reformat shndërruan imazhin e Shqipërisë

Tiranë, 12 maj 2011, NOA- Kryeministri Berisha pasditen e sotme ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm Polak, Radoslav Sikorski.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Sikorski për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe si për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, apo dhe mbështetjen e vazhdueshme për ecjen me shpejtësi drejt integrimit evropian.

Nga ana e tij, ministri polak i tha Kryeministrit Berisha se Polonia, e cila së shpejti do të marrë presidencën e radhës së BE mbetet një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në BE dhe do të vijojë të ndihmojë dhe përkrahë qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për integrim sa më të shpejtë në BE.

Kryeministri Berisha e njohu ministrin e jashtëm polak Sikorsi me reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë viteve te fundit, në fushën e luftës kundër krimit, korrupsionit, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, krijimin e klimës së favorshme për biznesin dhe thithjen e investimeve te huaja, shtrirjen dhe zgjerimin e infrastrukturës në të katër anët e vendit, modernizmin dhe sjelljen e Shqipërisë në epokën dixhitale, reformat në arsim, shëndetin publik, turizëm, etj.

Në takim u vlerësua që rezultatet e këtyre reformave, në veçanti arritjet në luftën kundër korrupsionit kanë sjelle një shndërrim total të imazhit të Shqipërisë në vendet e BE dhe me gjerë, çka është demonstruar dhe me rritjen e numrit të turistëve, të cilët në vitin 2010 shënuan një shifër prej 3,5 milion.

Lidhur me zgjedhjet e 8 majit, kreu i qeverisë vlerësoi reformat e rëndësishme dhe të suksesshme zgjedhore, si dhe infrastruktura nga më modernet në Evropë, siç është regjistri qendror elektronik apo dokumentet biometrike të identifikimit, por edhe sistemi unik i numërimit, i cili ka bërë të mundur që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të numërohet dhe të regjistrohet me sigurinë dhe saktësinë më të lartë duke garantuar një proces të saktë transparent e rigoroz të numërimit, i cili e rendit sistemin shqiptar të numërimit, në një ndër sistemet me garancinë më të lartë.

a.y/NOA

KOMENTE