English

Dako: Fitorja ime spektakolare

Tiranë, 12 maj 2011, NOA - “Fitorja kaq e thellë erdhi, sepse qytetarët vlerësojnë punën”, deklaroi sot kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, pas fitores sipas tij spektakolare në këtë bashki, kundrejt kandidatit demokrat Ferdinand Xhaferraj.

Kryebashkiaku i Durrësit fitoi mandatin e dytë në krye të bashkisë së Durrësit duke marrë 3584 vota më shumë se rivali i tij Xhaferraj, pas përfundimit sot në mesditë të numërimit të 165 kutive.

Dako mori 33369 vota, kundrejt Xhaferraj që arriti të marrë 29785 vota.

Në qytetin e Durrësit votuan 64 857 zgjedhës të thirrur në votime.

Sipas të dhënave kryebashkiaku Dako ka marrë këtë herë 10 herë më shumë vota se në vitin 2007 kur ai fitoi mandatin e parë.

Kryebashkiaku Dako tha se çelësi i kësaj fitoreje të thellë ishte pikërisht puna, sepse qytetarët durrsakë vlerësojnë më shumë punën se ngjyrimet politike.

Duke falenderuar qytetarët durrsakë që e votëbesuan, Dako u premtoi se do të vazhdojë të bëjë akoma më shumë për qytetin e Durrësit.

“Në mandatin e dytë do të vazhdojmë t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të Durrësit pa dallim, ashtu siç kemi bërë në katër vitet që kaluam. Edhe ky mandat do të jetë i mbushur me akoma më shumë punë në shërbim të qytetarëve për t’ia ndryshuar krejtësisht faqen Durrësit”, tha Dako.

mit/NOA

KOMENTE