Elbasan, 12 maj 2011, NOA – Ndërkohë që qyteti kryesor pas Tiranës, Durrësi mbylli numërimin e votave për kryetar bashkie, duke rikonfirmuar në krye të saj kandidatin e majtë të “Aleancës për të Ardhmen” Vangjush Dako, edhe Elbasani pritet që të mbetet bastion i të majtës, pasi kryebashkiaku aktual i qytetit Qazim Sejdini udhëheq garën elektorale me plot 7171 vota kundrejt kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Durim Hushi, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Deri më tani në qytetin e Elbasanit janë numëruar 83 kuti nga 96 kuti për qytetin e Elbasanit.
Pra kanë mbetur për t’u numëruar edhe 13 kuti.
Kandidati i majtë Qazim Sejdini kryeson 22 401 vota, ndërsa kandidati i LSI-së nën siglën e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Durim Hushi numëron deri më tani 15 230 vota.
mit/NOA