English

Haxhinasto-Sikorski: Zgjedhjet hap pozitiv drejt integrimit

Tiranë, 12 maj 2011, NOA- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, pasditen e sotme priti në një takim homologun e Polonisë, Radosłav Sikorski.

Gjatë takimit, Sikorski shprehu vlerësimin e tij për progresin e dukshëm të Shqipërisë në rrugën e reformave dhe integrimit evropian. Ai siguroi se vendi i tij do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, veçanërisht gjatë Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, që Polonia e merr në gjysmën e dytë të vitit 2011.

Më tej Haxhinasto vlerësoi prioritetet e Presidencës polake të BE-së, të cilat përfshijnë në axhendën e tyre zgjerimin e Europës dhe integrimin e plotë në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I pyetur nga gazetarët lidhur me zgjedhjet lokale të 8 majit, Sikorski i vlerësoi ato si transparente dhe pa ndonjë vërejtje thelbësore.

Ndërsa Haxhinasto lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat shtoi se, “Kriteri më i rëndësishëm tashmë është kaluar me sukses, sepse zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Vlerësimi paraprak për to është pozitiv. Unë jam plotësisht i bindur që pas këtyre zgjedhjeve do të ketë një reflektim të plotë të të gjithë faktorëve politikë për të bërë plotësimin e detyrimeve drejt integrimit Europian, një aksion kombëtar të shqiptarëve”.

Ndërsa ministri Polak, Sikorski theksoi se, “Ajo që mund të them tani dhe që jam më se i bindur për këtë, lidhet me faktin se në momentin që Shqipëria do të plotësojë kushtet, atëherë për fillimin e negociatave s’do të ketë asnjë vonesë të motivuar politikisht. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, se Polonia do të jetë përherë e gatshme që Shqipëria ta mbyllë sa më shpejt këtë proces”.

a.y/NOA

KOMENTE